ARBEN MANAJ – Ja ku jemi përsëri me një hipotezë tjetër në tregun
politik. Prishja e mundshme e marrëdhënieve mes partnerëve të
koalicionit!! Po riëndërrohet me sy hapur se Meta dhe Berisha do të
divorcohen për çështjen e referendumit dhe kryeprokurorit. Nuk ka më
pakt mes LSI-së dhe PD-së, deklaron një eksponent i PD-së, duke iu
përgjigjur një tjetri të LSI-së, i cili tha se nuk duhet referendum.
Motivi që jepet, shitet si barkprerje për demokracinë, xhandjegie për integrimin apo respektim i të drejtave kushtetuese të Presidentit.
Absolutisht jo, nuk është ky motivi dhe shkaku real, i cili në fakt është i shumëfishtë.
Gjithçka është pasqyrë e llogarive të brendshme brenda martesës politike të Metës dhe Berishës, që herë pas here, siç përballë pasqyrës, i nxjerrin muskujt njëri-tjetrit për t’i treguar po njëri-tjetrit se kush është burri dhe kush është gruaja në shtratin e qeverisjes.
Nga njëra anë, secili lufton të përfitojë sa më shumë nga tenderimi ose më saktë ankandi politik i institucioneve të pavarura, në letër.
Padyshim, më i fituari është si gjithmonë Berisha, pasi ka krijuar distancë të thellë me aleatin në institucionmarrje, distancë e cila u thellua ndjeshëm me postin me shumëmbushje të katapultuar të Presidentit, prej të cilit, ashtu si nga kukullat ruse, dolën dhe do të dalin më të vegjlit, kryespiuni dhe kryeprokurori.
Nga ana tjetër, kjo betejë brenda llojit, mendoj se është e parëndësishme më për opozitën. Nuk është se do të bjerë koalicioni nga “antagonizmi” i qëndrimeve mes PD-së dhe LSI-së.
Kam frikë se gjithçka, ashtu si në rastin e Presidentit, është një lojë e madhe mes dy kapove të kupolës në kurriz të kauzës së opozitës, që kjo e fundit eventualisht të zbusë ose hollojë kërkesat e saj për mënyrën e zgjedhjes së institucioneve kryesore, pas ndryshimeve kondicionuese kushtetuese.
Asnjë nga udhëheqësit e kryepartive të koalicionit nuk ka interes të prishen në këtë moment. Pse, çfarë ka ndryshuar në vetëm pak muaj nga zgjedhja e Presidentit, që të ndodhë kjo, dhe për më tepër që të ndryshojë tani?
Parimet?! Harrojeni. Interesat politike dhe personale? Padyshim, mos i harroni, të pandryshuara.
Thjesht, njëri ka pangopje për t’i pasur të gjitha, e motivuar edhe prej frikës nga zullumet e absolutizmit shtetëror.
Tjetri, uri të pashuar për një shans që s’vjen çdo vit, dhe as për pesë vitet e ardhshme për kontrollin e një institucioni luminal ose insomnial, në vartësi të pavarësisë së performancës së tij.
Opozita, madje as duhet t’i kërkojë LSI-së, si formalisht ashtu edhe informalisht, si të vetmes forcë që mund të ushtrojë ndikim te Mohamedi i PD-së dhe qeverisë, që të lërë mënjanë çmendurinë referendare apo të braktisë prokuroromaninë.
Për hir të së vërtetës dhe në respekt të meritave si politikan, Meta ka aq eksperiencë dhe vizion për dhe pro domosdoshmërisë akute të ndryshimeve të nevojshme kushtetuese, për të cilën dikur mbante me të drejtë flamurin e betejës kundër Berishës dhe Ramës, faktikisht.
Opozita, nëse ka zënë mend, duhet të jetë serioze dhe të mos hajë as “karremin” e Berishës, e as “ngjalat” e Metës si në rastin e Presidentit. Ajo dhe tërë spektri opozitar nuk duhet të mprihen kot për ndonjë kataklizmë parazgjedhore.
Përkundrazi, duhet të mprehin tehun në luftën për të shpëtuar, aq sa mundet nga rënia fatale e të gjitha institucioneve në një dorë të vetme dhe në një mendje të frikshme.
Me Metën, takimi lihet pas qershorit, pasi deri atëherë ai është i zënë me kontabilitet për pesë vjetët e shkuara dhe për pesë vitet e ardhshme.
Llogaritë me të duhen bërë mundësisht vetëm pas zgjedhjeve. Me “Berisha ik”, ai nënkuptoi dhe bëri të kundërtën, të njëjtën gjë mund të bëjë edhe me “Rama hajde”.
Top Channel