Të vriten pulëbardhat për të shpëtuar balenat

29/08/2012 00:00

Të qëllohen pulëbardhat për të shpëtuar balenat. Kjo është ideja që po zë vend gjithnjë e më shumë mes autoriteteve lokale të Puerto Madryn në Patagonia të Argjentinës.

Sipas autoriteteve, pulëbardhat janë shndërruar në një kërcënim të vërtetë për balenat, pasi ushqehen me mishin dhe lëkurën e tyre gjatë kohës kur kafsha gjigande ujore del në sipërfaqe. Rastet e ngordhjes së balenave si pasojë e dëmtimeve të mëdha të marra nga pulëbardhat janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit.

Kjo sipas autoriteteve argjentinase është pasojë edhe e rritjes së konsiderueshme të sasisë së shpendëve në Gjirin e Puerto Madryn, e njohur nga biologët si zona më e madhe në botë e preferuar nga balenat për riprodhimin e tyre.

“Balenat sjellin turistë dhe turistë para. Për të mos u privuar nga këto të ardhura, po mendohet seriozisht që të autorizohet policia bregdetare që të hapë zjarr ndaj pulëbardhave”, thotë një zyrtar lokal.

Por ideja për asgjesimin e pulëbardhave kundërshtohet fort nga ambientalistët dhe shoqata të mbrojtjes së kafshëve dhe shpendëve. Sipas tyre, autoritetet duhet të ndalojnë peshkatarët të hedhin në det mbeturinat në mënyrë numri i këtyre shpendëve të reduktohet natyralisht.

Top Channel