ALEKSANDËR ÇIPA – Në visin himariot, prej njerëzve që e
njohin mirë detin, përmendet shpesh sentenca: “Peshku i madh në
turbullirë kapet”.
Në ditët e pritshme të këtij shtatori, politika do të sjellë sërish turbullirë, në përmbajtje të së cilës do të kemi debate dhe polemika, akuza dhe kundërakuza, ndotje dhe më së shumti “ndotje njerëzore”, siç e përmend shpesh profesori me të thëna të drejtpërdrejta , Omer Stringa. Politikanët janë rikthyer në lojën e tyre me qëllim talljen publike dhe përbetimin hipokrit publik për një besim të ripërsëritur apo për një besim të ri, të mishëruar në betejën zgjedhore të pritshme.
Është vërtet një prolog turbullimi jo vetëm politik, i cili shoqërinë e viktimizuar do ta rikthejë edhe një herë në ciklin artificial të fushatës së re, që së pari po e paragjykojnë vetë ata që e ndërmarrin. Në këtë paradoks tipologjik shqiptar, vendi dhe qytetarët po hyjnë ndoshta në periudhën e një fushate me “dy hemisfera” dhe me shumë dritë-zezime.
Kurrë ndonjëherë më parë ekonomia dhe gjendja reale e financave publike nuk janë eklipsuar në këtë mënyrë si aktualisht, para një fushate zgjedhore. Realiteti i gjithi duket se po derdhet si në raporte dhe kallëpe të parafabrikuara, duke e rikthyer mendësinë kolektive të shoqërisë në një gjendje fillestare, si ajo e pragut të shembjes së komunizmit. Qytetarët në masë në bisedat e lira po përbuzin propagandën dhe demagogjinë bolshevike të qeverisë. Po e përflasin Kryeministrin e vendit për marrëdhënien ireale që po krijon me realitetin. Ekonomia nuk preket, por është shndërruar e gjitha në një substancë që e mbulon propaganda politike dhe terri i transparencës publike. Institucionet e vendosura në një sintoni me këtë propagandë, po vetëvihen nën “uniformën“ e korit paraelektoral dhe nën korrektësinë bindëse ndaj qeverisë. E keqja nuk është vetëm e shumëshfaqur si realitet funksional i administratës, shtetit apo nëpunësisë në përgjithësi, por si një ajsberg tinëzar, prej goditjes me të, nuk e dimë se si dhe deri ku do të ndiejmë pësimin. Propaganda si optimizëm po njeh maja dhe kuota të ngjashme me ato të kongreseve të partisë së Enver Hoxhës. Të gjitha instrumentet publike janë në dispozicion dhe funksion të kësaj butaforie që sjell kjo makineri parabolshevike propagandistike dhe demagogjike.
Mbi këtë tablo, veç patetizmit të Kryeministrit, po hidhen edhe veladonë kauzash dhe kazusesh absurd, me të cilët oportunizohet kompromentueshëm shpesh edhe një skotë e diplomatëve të huaj të akredituar në këtë vend. Ky realitet absurd, gjeneron prej protagonistëve donkishoteskë, të cilët kanë një cilësi dhe specifikë tipologjike, se janë më të pasurit dhe më kapitalistët anonimë të rajonit.
Në thellësi të kësaj tabloje po gjenerohet një turbullirë e dimensioneve të frikshme. Ajo nuk është thjesht zhurmë apo trazim i sipërfaqes që vë në lëvizje llumin e akumuluar në këtë vend, në këtë me nder sistem alla shqiptar, apo në arkitekturën dhe kthinat e makinerisë së madhe të shtetit. Në thellësinë e këtij realiteti ndyrësia është bërë shumësi e gjithçkaje. Brenda saj janë zhytur të dyja hemisferat politikëbërëse. Mbi paradokset dhe absurdin e këtij vendi, shtresëzohet e keqja në formë dhe përmbajtje absurditetesh të pakrahasueshme. Është shndërruar shtetkapja në kushtetutëtallje. Autoritarizmi po merr seriozisht përmbajtje monarkizmi jo në perimetër kurore mbretërore, por në semantikë monovendimmarrjeje. Me të drejtë kolegu Lubonja, në një shkrim të dy ditëve më parë, pohonte se Këshilli i Ministrave në të cilin mban fjalime pa u pyetur kurrë publikisht prej ministrave, është ky që zotëron zoti Berisha. Përmatanë zotit Berisha po bën jetën zvarritëse opozita. Një hemisferë me dritëlëvizje politike të parregullta. E ndriçuar keqazi dhe me margjina të çuditshme. Një hemisferë me protagonizma shpesh idioteske, me opozitarizëm impotent dhe të parcializuar, me shterpësi idesh dhe motor të pafuqishëm lëvizjeje dhe nismimesh. Në shumicën e kohës së deritanishme, në udhëheqësinë dhe institucionet e kësaj hemisfere opozitare, janë ose lënake ose anemike idetë dhe aksionet politike. Por edhe më skeptike të bën situata dhe gjendja e kësaj “hemisfere”, kur sapo jepen alarmet e prologut elektoral, krerë dhe jo prirës të saj, po e ulin pa u nisur, optimizmin për triumf zgjedhor. Ish- kryeministri Majko, po u kujton së pari socialistëve dhe më pas krejt opinionit publik se në këtë prolog zgjedhor së pari duhet nisur me leximin e “Arturo Ui”.
Kritike situata është jo vetëm prej gjendjes, por më kritike bëhet prej kësaj shprese, që në mos është e vrarë që në zënie, së paku e paplotë premtohet edhe për betejë.
Spektri politik i vendit është i kapur prej gjendjes. Ky përbën një fatalitet në fuqi për shqiptarët dhe idealistët e shtegtuar të këtij vendi. Jetojmë në terrenin dhe perimetrin e zgjedhjes së të keqes përballë së tillës. Vini re, në kohën e nisjes së këtij spektakli në llumin e sotëm politik. Qeverisësit e akuzuar nga poshtë dhe lart, nga jashtë dhe më së shumti nga brenda, për afera dhe atdhengrënie e atdhe-shitje tronditëse, po përballen lehtësisht me opozitarët, të cilët “janë të kapur nga klubi i miliarderëve”. Bertolt Brehti do ta kishte zili këtë fakt për drama të veta që i deshi, por s’i shkroi! A ka fakt më tronditës për të parë se në ç’perimetër po e zhvillojnë shqiptarët betejën për ndryshim qeverisjeje?! Nuk ka situatë dhe terren më grotesk.
Jemi në shkumën e dramës ekonomiko-sociale-politike. Nuk është një shkumë e bardhë, por thjesht dhe qartë llum. Në këtë vërshim drejt vitit zgjedhor, skota politike e vendit, po ripërsërit ciklin e vjetër turbullues. Është vërtet moment kur do të gjendemi në seancën zgjedhore, prej së cilës do të kapet për llogari të vetë politikës “peshku i madh”, ndërsa për qytetarët do të lihet të precipitojë llumi, duke u fshehur përmes gjendjes, turbullira. Në këtë cikël turbullimi dhe precipitimi, do të bëhemi soditës dhe pësues, tamam si peshq të vegjël të kësaj kënete ku abitati zhduket dhe llumi shtohet.
Top Channel