“Champions”, kualifikohet Braga e Malaga

29/08/2012 00:00

Mbrëmjen e së martës u luajtën ndeshjet e dyta play-off të Ligës së Kampioneve ku ra në sy eleminimi dramatik i skuadrës italiane, Udineze nga portugezët e Bragas.

Në Friuli, vendasit kaluan të parët në avantazh që në minutën e 25 me Armeron dhe gjithcka dukej e lehtë për Udinezen. Por nuk rezultoi kështu për skuadrën italiane. Portugezët e Bragas barazuan në minutën e 72 me Micael.

Koha e rregullt dhe 30 minuta kohë shtesë përfundoi me këtë rezultat, i njëjtë me atë të 1 jave më parë në Portugali. Për të përcaktuar skuadrën që do të hidhet në fazën e grupeve vendoset nga pika e bardhë e 11-metërshave, ku portugezët u treguan më të saktë dhe fituan 5 me 4.

Në fazën në grupe kaloi edhe Malaga e cila në Greqi përballë Panathinaikosit vendas barazoi pa gola dhe ai që vendosi ishte rezultati 2-0 i ndeshjes së parë. Dinamo e Zagrebit mundi në transfertë 0-1 Mariborin dhe kualifikohet për në grupe me rezultatin e përgjithshëm të të dyja ndeshjeve 3 me 1. Dy gola në 10 minutat e fundit të takimit i dhanë kualifikimin për në grupe edhe belgëve të Andërlehtit, që mundën 2-0 qipriotët e AEL Limasolit, ndërkohë që bjellorusët e Bate Borisov përsërisin suksesin e sezonit të kaluar duke siguruar grupet pas eleminimit me rezultatin e përgjithshëm 3 me 1 të izraelitëve të Ironi Kiryat Shmona.

Të mërkurën luhen 5 ndeshjet e tjera play-off ku bien në sy dy sfida, e para luhet në Turqi mes Fenerbahces dhe Spartakut të Moskës. Rusët kanë fituar takimin e parë në fushën e tyre me rezultatin 2-1. Mision i pamundur në Ukrainë për gjermanët e Borusia Myncengladbah që duhet të përmbysin humbjen 3-1 përballë vendasve të Dinamos së Kievit.

Top Channel