Sevilja dhe Barcelona në Tiranë

28/08/2012 15:35

Sot në mesditë përfaqësues të skuadrës së Seviljes dhe të Barcelonës kanë mbërritur në Tiranë për të zhvilluar takimet e fundit zyrtare në lidhje me ndeshjet miqësore.

Takimi i tyre zyrtar ka qenë ai me ministrin e sporteve, Z.Aldo Bumçi, ku është diskutuar rreth projektit që po shkon drejt konkretizimit.

Bëhet fjalë për njërën nga ndeshjet e cila është fiksuar, ajo mes Flamurtarit dhe Seviljes që do të luhet më 9 shtator në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Ndërkohë që sa i përket projektit për të zhvilluar edhe një ndeshje miqësore me Barcelonën, po punohet intensivisht nga një grup promotorësh ku bëjnë pjesë edhe shqiptarë.

Shifra për të cilën diskutohet për këtë ndeshje është 2 milionë euro, por gjithsesi me sa duket nuk është problem thelbësor vetëm çështja financiare, që do të sigurohet me paratë e shtetit dhe të një grupi biznesmenësh.

Ky program sportiv po zhvillohet gjithnjë në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit dhe Flamurtari është përzgjedhur si skuadra simbol e qytetit të flaurit, Vlorës.

Megjithatë për ndeshjen me Barcelonën mbetet ende për t’u përcaktuar kundërshtari nëse do të vendoset që do të luhet kjo ndeshje, pasi mund të jetë një skuadër tjetër veç Flamurtarit, ose një ekip miks.

Për momentin e vetmja ndeshje e zyrtarizuar është ajo mes Flamurtarit dhe Seviljes më 9 shtator.

Top Channel