Milan, vjen Bojan, pritet Carroll

28/08/2012 19:40

Milan ka arritur marrëveshjen për huazimin e Bojan Krkic nga Roma, duke përforcuar më tej repartin e sulmit pas blerjes së M’Baye Niang.

“Jam gati, nuk kam aspak frikë. Kjo është një dhuratë e mrekullueshme për mua”, është shprehur ish-lojtari i Barcelonës në hyrje të selisë së klubit kuqezi.

“Nuk kam folur ende me Allegri-n, por jam gati të luaj ditën e shtunë”, ka shtuar spanjolli 22-vjeçar.

Malaga dukej se ishte në avantazh për marrjen e shërbimeve të Bojan, por vullneti i sulmuesit të ri për të luajtur tek Milani ka bërë që çështja të zgjidhet në favor të kuqezinjve.

Merkato e Milanit duket se nuk mbyllet me kaq. Sipas sportmediaset.it, Liverpool i ka ofruar me formulën e huazimit klubit italian sulmuesin anglez Andy Carroll.

Milan është i gatshëm të shpenzojë vetëm 1.5 milionë euro për marrjen borxh të qendërsulmuesit shtatlartë.

Pas EURO 2012, klubi anglez i kishte ofruar Carroll-in kuqezinjve për 20 milionë euro, ndërsa tani duket se i kanë ulur krejtësisht pretendimet. Drejtuesit e Reds-ave kërkojnë 3 milionë euro këtë sezon dhe 17 për blerjen përfundimtare verën e ardhshme, por siç përmendëm më sipër Milan ofron vetëm 1.5 milionë euro.

Top Channel