Eto’o refuzon kombëtaren: Drejtues amatorë

27/08/2012 20:35

Kapiteni i kombëtares kamerunase, Samuel Eto’o, refuzoi të rikthehet të veshë fanelën e vendit të tij, përsa kohë Federata “do të vazhdojë të drejtohet në mënyrë amatore, pa u përmbushur as kërkesat themelore për një skuadër futbolli”.

Sulmuesi i Anzhit, në kampionatit rus, u thirr nga përfaqësuesja për ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Kombeve të Afrikës në fundjavë, tetë muaj pasi u pezullua për një afat të pacaktuar për “udhëheqjen e një rebelimi” brenda kombëares, për mospagimin e shpërblimeve të premtuara.

Eto’o, futbollisti që me 20 milionë euro në sezon pagë ka rrogën neto më të lartë në botë, refuzoi ofertën e kombëtares nëpërmjet një letre të hapur në faqen e tij të internetit (www.samueletoo-officiel.com).

”Më vjen keq të informoj se nuk kam ndërmend të luaj me kombëtaren e vendit tim përsa kohë nuk janë zgjidhur problemet që unë denoncova si kapiten. Drejtimi i Kamerunit vazhdon të bëhet në mënyrë amatore, nga njerëz që nuk kanë idenë e kërkesave thelbësore për sportin”, denoncoi Eto’o.

Top Channel