Pazzini, mllef ndaj Interit: Dua gol në derbi

24/08/2012 20:05

Milanist prej vetëm tre ditësh, por ëndrra më e madhe e Giampaolo Pazzinit është që të shënojë në derbi, përballë ish-skuadrës së tij të Interit.

Në konferencën e parë për shtyp si kuqezi, sulmuesi i përfaqësues italiane shprehu mllef ndaj ish-skuadrës së tij, në të njëjtën kohë që shprehu dëshirën që të fitojë sa më shumë tituj në radhët e ekipit të tij të ri.

“Mund të them shumë gjëra për Interin, por do të krijoja kështu polemika për ditë me radhë dhe nuk dua ta bëj këtë gjë. Ditën përpara se të niste faza përgatitore, mora një telefonatë në të cilën më thanë që nuk isha më në planet e Interit. Më pas më thanë që nuk do të luaja as në miqësore, por mund t’iu them vetëm se kjo telefonatë nuk erdhi nga Stramaccioni (trajneri i Interit). Di shumë gjëra, por tani dua të mendoj për të ardhmen”, u shpreh Pazzini.

Duke u ndaluar pikërisht tek e ardhmja e tij milaniste, 28-vjeçari shtoi: “Jam i mbushur me motivime dhe dua të rikthehem në formën më të mirë, pas një viti ashtu ashtu. Ëndërroj të rikthehem në kombëtare. Milani është pa dyshim ajka e ajkës së klubeve italiane, prandaj mendoj se tashmë jam në vendin e duhur për të bërë gjëra të rëndësishme”.

Top Channel