Milan-Kaka, orë vendimtare për tratativën

23/08/2012 21:25

Milani është rikthyer në një sulm përfundimtar për rikthimin e Kakasë në “San Siro”, ndërsa siç konfirmoi “La Gazzetta dello Sport”, një i dërguar i klubit ndodhet tashmë në Barcelonë për t’u takuar me drejtuesit madrilenë.

Takimi do të realizohet në orët përpara ballafaqimit të madrilenëve në klasiken e Superkupës së Spanjës.

Ndonëse Reali ka refuzuar më parë të bisedojë mbi ofertën e huazimit, përjashtimi që i ka bërë Mourinho brazilianit për ndeshjen e Superkupës ka konfirmuar se Kaka tashmë është vetëm një shtesë e padomosdoshme për madrilenët.

Në këto kushte, kuqezinjtë do të paraqesin sërisht një ofertë huazimi me të drejtë blerje, por me kushte më të favorshme për Realin dhe me më shumë garanci për blerjen e tij me këste pas përfundimit të këtij sezoni.

Ndërkohë, një përfaqësues i klubit është dërguar edhe në Francë, për të negociuar me klubin e Kaenës (Caen) për blerjen e talentit 17-vjeçar, M’Baye Niang.

I riu konsiderohet si një prej premtimeve më të mëdha të futbollit francez dhe kartoni i tij është i përballueshëm, duke qenë se vlerësohet prej klubit të tij me vetëm tre milionë euro.

Top Channel