Skënder Minxhozi – Dhunimi i lirisë së shtypit ka qenë një sëmundje e vjetër e demokracisë
shqiptare. Ka pak a shumë moshën e saj, në rast se marrim të mirëqenë
vitin 1990, si ditëlindje edhe për shtetin pluralist, edhe për median e
tij të lirë.
Në dy dekada, gazetarët shqiptarë janë përballur me gjyqe, burgime, gjoba marramendëse dhe andralla të tjera më pak të rëndësishme. Por gjendemi në këto orë, duke komentuar një ngjarje, në fakt një dhunim të lirisë së shprehjes, e cila nuk ka për palë shtetin shqiptar dhe një media të Tiranës, por një shtet të huaj dhe një ndër të rinjtë e talentuar të medias televizive shqiptare.
Në harkun e pak orëve, dy persona, njëri shtetas shqiptar, e tjetri zyrtar i lartë italian, kanë provuar se çdo të thotë të kesh pasaportën shqiptare, apo thjesht flamurin shqiptar në bashin e skafit, e të paraqitesh me to, në derën e policisë kufitare greke. Gazetari i “Top Channel”, Marin Mema, dhe senatori italian Alberto Maritati, janë keqtrajtuar nga autoritetet helene, për shkak se i posedonin që të dyja, i pari pasaportën, i dyti flamurin. E ndërsa senatorit iu kërkua falje për incidentin (domosdo, një zyrtar italian e gjen mënyrën e reagimit përballë një shteti si ai grek), çështja e gazetarit shqiptar Marin Mema duket e arkivuar në listën e gjatë të sjelljeve absurde të autoriteteve kufitare greke. Ai është shpallur person i padëshirueshëm në Greqi, sepse ka guxuar të bëjë punën e tij: të raportojë lajme!
Numri dy i ambasadës greke në Tiranë është thirrur për sqarime nga Ministria jonë e Jashtme, në lidhje me incidentin e kolegut Mema. Një akt formal, i cili zor se do të ndreqë diçka. Paralajmërimi është i qartë, për të gjithë njerëzit e shtypit në Shqipëri: mos shkruani për Çamërinë, për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Greqi, mos u shtyni shumë “thellë” në skutat e errëta të marrëdhënieve dypalëshe, që të mos hyni në listat e zeza të fqinjit jugor. Prej vitesh ka një klimë të eksituar rreth asaj që shkruan media kritike shqiptare, kur flitet për anët e paqarta të marrëdhënieve mes dy vendeve, për çamët apo për trajtimin e refugjatëve tanë atje. Autori i këtyre rreshtave e njeh personalisht shijen e reagimit idhnak të autoriteteve greke, pas botimit të një shkrimi në lidhje me dhënien e dyshtetësisë për shqiptarët në Greqi, disa vjet të shkuara. Paçka se incidenti u mbyll relativisht pa zhurmë, në segmentin “ambasada greke – gazeta ‘Panorama’” (e cila botoi asokohe në mënyrë korrekte shkrimin), ajo sjellje e atëhershme qesharake e diplomatëve grekë në Tiranë, zbulonte pjesë të të njëjtit mllef shtetëror kundër shtypit tonë, që ka goditur edhe Marin Memën para pak ditësh.
Në këtë optikë, ngjarja me kolegun Mema vendoset në kontekstin historik të pabarazisë që ka karakterizuar rolin e medias dhe trajtimin e saj në marrëdhëniet dypalëshe. Qindra shkrime denigruese, tallëse, shtrembëruese apo etnikisht fyese që shtypi grek ka botuar ndër vite për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk u është përgjigjur ndonjë politikë skedimi nga ana e Tiranës zyrtare. Nuk ka ndonjë listë gazetarësh grekë të padëshiruar, të varur në banakët e pikave tona doganore, e kjo është një sjellje normale e një vendi që kërkon të lejojë lirinë e shprehjes dhe të publikimit të çdo opinioni apo mendimi të lirë. Në këtë plan, Shqipëria e varfër dhe e “paemancipuar”, ndodhet shumë më lart se Greqia e integruar në Europë dhe që pretendon orë e çast se është djepi i qytetërimit modern.
Në anën tjetër, e kjo është pjesa dëshpëruese e incidentit të Marin Memës (e të plot incidenteve të tjera në kufijtë tanë me Greqinë), vezullon për së largu sjellja “e kapur” e qeverive shqiptare, të cilat në pjesën dërrmuese të rasteve nuk guxojnë të artikulojnë asnjë tingull, sa herë që shteti grek nxjerr nga parzmoret e veta historike urrejtjen e njohur antishqiptare. Të shpallësh non grata një gazetar, është në vetvete një gjest burracak. Ashtu siç është një gjest cinik e burracak, edhe që të kthesh në kufi një çift pleqsh, vetëm sepse kanë të shkruar në pasaportë si vendlindje fjalën “Çamëri”.
Përkundër kësaj, të mos i mbrosh qoftë edhe formalisht shtetasit e tu nga kjo politikë bizantine e fqinjit (siç ka ndodhur në jo pak raste së fundi), është mungesë totale përgjegjësie shtetërore, bjerrje e imazhit të vendit në botë dhe përulje e shëmtuar përballë një shkeljeje flagrante të të drejtave të njeriut.
Në vite u kemi dhënë marrëdhënieve me fqinjin tonë jugor një përmasë të deformuar. Kemi pranuar thuajse gjithçka na kanë kërkuar, pa kërkuar në shkëmbim thuajse asgjë. Që nga kufiri detar, memorialët e të rënëve të luftës italo-greke, shkollat greke apo censusi etnik e fetar, kemi “hapur krahun” rregullisht, a thua se për shtetin tonë interesat tona kombëtare ishin dhe janë thjesht një “opsion”, kur bëhet fjalë për të negociuar me palën greke.
Prandaj nuk duhet të çuditemi asfare që, nëse shkojmë pa asnjë problem në Paris, Romë apo Stokholm, duhet ta pyesim veten mirë, para se të shkojmë në Selanik apo Athinë. Sepse s’dihet me çfarë humori ka dalë në punë polici grek i radhës, i cili mund të të kthejë mbrapsht për çfarëdo arsyeje apo teke. Normale fare, se mos do të protestojë kush… Fundja, shqiptarë jemi…
Top Channel