Olimpistja mbytet si klandestine rrugës për Itali

21/08/2012 01:30

Një atlete olimpiste somaleze u mbyt në Detin Mesdhe ndërsa tentonte të arrinte brigjet italiane me një anije klandestine.

Vrapuesja Samia Yusuf Omar ishte duke u përpjekur të mbërrinte në Europë nga Libia në prill, por mjeti lundrues në të cilin ajo po udhëtonte nuk mbërriti kurrë në Itali.

Më përpara, Komiteti Olimpik Somalez kishte raportuar vdekjen e saj, por pa dhënë detaje se si ishte ndarë nga jeta.

Zbulimi i mënyrës tragjike të vdekjes së atletes ndodhi të hënën pas një hetimi të pavarur të një gazete italiane.

E ndjera konkurroi për Somalinë në Lojrat Olimpike të Pekin 2008 në 200 metra femra.

Ndonëse rezultati i saj ishte i dobët, atletja krijoi shumë bujë në atë kohë për profilin nga i cili vinte.

Samia u lind dhe u rrit në kryeqytetin e vendit, Mogadishu, ku u përball me luftën, varfërinë ekstreme dhe paragjykimet e mëdha të shoqërisë ndaj femrave që merrem me sport.

Sipas “Al-Jazeera”, ajo u përball me kërcënime vdekje kur u kthye nga Pekini, pasi forcat paraushtarake të islamistëve të “al-Shabab” ishin në kontroll të disa zonave të ndryshme të kryeqytetit.

Top Channel