Përballë njëri-tjetrit edhe në një libër në formën e kukullave prej kartoni. Gara për Shtëpinë e Bardhë është pasuruar kësisoj me të tjera sfida mes kandidatëve për president, Barack Obama dhe Mitt Romney, që përmes veshjeve i vendosin rivalët në fushëbeteja të ndryshme, duke nisur nga arena e gladiatorëve e deri tek përplasja mes robotëve.

Ideja ishte e Dover Publications, që sqaron se përzgjedhja e kostumeve u mbështet në simbolet dhe kulturën amerikane të pop-it.

Ken Katzman, zv/president i Dover Publications, theksoi: “I kemi vendosur në ring si boksierë, i kemi veshur si praktikues të sumo-s, ka kostume robotësh që luftojnë me njëri-tjetrin… Janë gjëra të cilat njerëzit i perceptojnë si argëtuese, tip kulture pop.”

Libri është vazhdim i edicioneve të suksesshme të vitit 2008 me publikime të veçanta për Obamën dhe John McCain-in.

Katzman shton: “Në 2008-n nxorëm dy libra, por njerëzit këtë herë donin një përmbledhje të vetme argëtuese për këto zgjedhje. Atëherë patëm nivel goxha të mirë shitjesh, gati 100.000 kopje. Për edicionin e 2012-s menduam t`i vendosnim dy kandidatët bashkë. Politika është e ashpër dhe e lodhshme, ju e dini dhe vetë, ndaj ka gjithmonë nevojë për pak humor.”

Administrata Obama ka kërkuar disa libra për t’i përdorur si dhurata, gjest ky i vlerësuar nga Katzman, që e përkthen si shenjë të faktit se Shtëpia e Bardhë nuk është e zemëruar me këtë shaka.

Top Channel