Piktori Helidon Haliti është prezantuar në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë me një seri punimesh, kryesisht autoportrete, punime këto të kryera gjatë tre viteve të fundit.
Autoportrete të cilat shfaqen në vende dhe forma nga më të çuditshmet në shumë prej tablove dhe kafshë që gati-gati marrin përmasa mitologjike e qëndrojnë të palëvizura në përjetësim. Këto janë vetëm disa prej elementeve që spikasin në pikturat e realizuara në këto dy-tre vitet e fundit nga piktori Helidon Haliti, të cilat autori i ka përmbledhur në një koleksion të paraqitur për publikun në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Ekspozita e quajtur jo pa qëllim “Personale” përmban në vetvete një ëndërr të hershme të Halitit e cila ndërthur magjiken, poezitë e babait dhe kujtimet e tij të fëmijërisë. Ndër punimet, edhe një vizatim i ruajtur me fanatizëm nga i ati, i cili daton prej vitit 1976, kohë në të cilën Helidoni qe vetëm një djalosh 8-vjeçar, në ato që mund të quhen mbase me modesti hapat e parë drejt artit.
“Fëmijëria është ndërlidhësja e veprave. Gjithashtu edhe mungesa prej shumë vitesh nga vendlindja. Kjo është filozofia e veprës sime”, shprehet piktori.
Pikturat e Halitit përçojnë një vizion imagjinar e surrealist, i cili ruan gjithashtu brenda vetes nota reale dhe njerëzore. Një pikë ndërlidhëse mes asaj çka jemi dhe ëndrrave tona.
“Haliti jep mesazhe filozofike nëpërmjet veprës së tij. Gjuha e tij është e re dhe simbolike”, thekson piktori Pano Kondo.
Helidon Haliti i përket një brezi artistësh të diplomuar në vitet ‘90 në Akademinë e Arteve në kryeqytet. Puna e tij reflekton frymën e re bashkëkohore që zuri vend në mësimdhënien e degës së pikturës, e cila deri në atë kohë ishte e kushtëzuar nga filozofia artistike e komunizmit.
Punimet e tij janë ekspozuar dhe vlerësuar me çmime në disa vende të botës, madje një prej tyre është bërë pjesë e koleksionit të ish-presidentit francez Nikolas Sarkozi.
Pas një qëndrimi shumëvjeçar në Greqi, Haliti është kthyer në Tiranë ku edhe vazhdon të ushtrojë aktivitetin e tij artistik.
Top Channel