Mijëra qytetarë i kanë dhënë lamtumirën e fundit themeluesit të Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferrit.

Drejt banesës së fundit, trupi i pajetë i të ndjerit u nis në ora 13 e 30 nga selia e PDSH-së, ku u kryen homazhet dhe nderimet e fundit për Xhaferrin. Kortezhi përcjellës me arkivolin e të ndjerit kaloi përmes sheshit kryesor të Tetovës, ku shumë qytetarë i’u bashkangjiten turmës për të nderuar intelektualin e politikanin  shquar.

Krahas familjarëve dhe mijëra qytetarëve në ceremoninë e varrimit në Tetovë morën pjesë edhe deputetë, politikanë, ministra e intelektualë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.

Paraprakisht, në pallatin e kulturës në Tetovë, u mbajt një mbledhje përkujtimore ku u përkujtua jeta dhe vepra e Arbën Xhaferrit. Para të pranishmive, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se me vdekjen e Xhaferit pushoi së rrahuri një zemër e madhe shqiptare në Maqedoni.

“Atë që kam thënë për herë është e vërtetë, nuk ka qenë lojë. Ky është teksti i parë që e kam shkruar vetë dhe e lexoj vetë,  gjitha tekstet që i kam lexuar në publik i ka shkruar Arbën Xhaferri. Të flasësh për Arbën Xhaferrin në këto momente të vështira për gjithë ne mbase është e tepërt, për të flet jeta e tij, puna e tij, përkushtimi dhe vizioni që ai kishte për shqiptarët kudo që jetojnë ata. Dashuria dhe respekti për Arbën Xhaferrin lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat dhe mendimet tona, kryetar çdo herë do të jesh në zemrën time, të PDSH-së dhe gjithë shqiptarëve, qoftë për jetë kujtimi për ty”, u shpreh i prekur lideri i PDSH-së.

Me vdekjen e Arbën Xhaferrit, familja ka humbur udhërrëfyesin ndërsa shqiptarët pikën e references, tha Vjosa Xhaferri, mbesa e të ndjerit. “Askush më shumë se ne, njerëzit e tu të afërt njohim idealizmin tend. Ishe nga ata që më shumë dhanë se sa morën, i ngjashëm me rilindësit, por në një kohë tjetër. Por, ju mos qëndroni përballë varrit të tij të qani sepse ai nuk vdiq sot, mos guxoni të vajtoni se një shpirt i tillë ka qenë bekim për kombin tonë. Bashkë me familjen rreth teje sot janë miqtë, bashkëpunëtorë, politikanët”.

Intelektuali i shquar mbarëshqiptar, Arben Xhaferi, vdiq të mërkurën në Spitalin e Shkupit, pas një goditje cerebrale që kishte përjetuar javën kaluar në banesën e tij në Tetovë.

Kryetari i parë i PDSH-së disa vite me radhë ka vuajtur nga sëmundja e Parkinsonit. Në vitin 2007, për shkak të gjendjes shëndetësore ai u tërhoq nga posti i kreut të PDSH-së, pasi kishte udhëhequr me këtë parti për 12 vite me radhë.

Arbën Xhaferri ka lindur në Tetovë më 24 janar të vitit 1948. Shkollën fillore dhe të mesme ka kryer në Tetovë ndërsa studimet filozofike në Beograd.

Deri në vitin 1990 ka punuar në Radio Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës për programin kulturor.  Në vitin 1994 u zgjodh deputet në Parlementin e Maqedonisë. Në cilësinë e kryetarit të PDSH-së, Xhaferri në vitin 2001 ishte në mesin e nënshkruesve të marrëveshjes së Ohrit.

Arben Xhaferri është çmuar si një nga intelektualët më të mëdhej shqiptarë në trevat shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA