Kryebashkiaku vjedh supermarketet

16/08/2012 17:30

Një kryetar bashkie në Spanjë u shndërrua në një “Robin Hood” të kohëve moderne, pasi nisi një fushatë grabitjesh të supermarketeve të qytetit, për t’u shpërndarë më pas ushqim falas banorëve te varfer.

Juan Manuel Sanchez Gordillo, kryetari i bashkisë së qytetit të vogël andaluzian të Marinaledës, u zbulua se ishte “arkitekti” i dy vjedhjeve të mëdha të ndodhura gjatë javës së shkuar.

Shtatë sindikalistë u arrestuan duke grabitur sasi të mëdha ushqimi dhe ata rrëfyen më pas se operacionet ishin udhëhequr me urdhër të kryebashkiakut.

59-vjeçari që drejton Marinaledën u shpreh se ushqimet, shumica e të cilave makarona dhe vaj, iu shpërndanë familjeve më të goditura nga kriza ekonomike.

“Ka njerëz që nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë. Që të ndodhë diçka e tillë në shekullin XXI është tërësisht e paparanueshme”, theksoi Gordillo.

Kryebashkiak i qytezës andaluziane prej 30 vitesh, ndaj njeriut të parë të qytetit është hapur një çështje, por ai nuk mund të arrestohet për shkak të imunitetit që ka si anëtar i Parlamentit rajonal të Andaluzisë.

Në Marinaleda, numri i të varfërve është rritur me 15% që prej vitit 2007, një në katër persona është i papunë dhe me qindra kanë mbetur të pastrehë pasi bankat u kanë bllokuar kreditë e marra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA