Messi: Nuk kam një duel me Ronaldon

15/08/2012 19:35

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, theksoi në një intervistë për të përditshmen argjentinase “Ole” se ndien vetëm respekt ndaj Cristiano Ronaldos, por shtoi se nuk ka asnjë marrëdhënie apo rivalitet me të.

“Ronaldon e respetoj si një futbollist të madh, por nuk kam asnjë raport me të dhe pothuajse me asnjë futbollist tjetër jashtë Barcelonës. Shihemi vetëm në fushë. Të vetmit me të cilët ruaj kontakte janë shokët e mi në skuadër apo ata tek Argjentina”, komentoi 25-vjeçari.

“Me të nuk ka asnjë lloj lufte në distancë. Gjithçka që ka mes nesh është një betejë mediatike, e ndezur nga shtypi, por nuk ka pasur dhe s’mund të ketë ndonjëherë një duel mes meje dhe tij. Asnjëherë nuk jam ndeshur kundër Cristianos. Përpiqem vetëm të bëj punën time, me shpresën që gjërat të më dalin mirë dhe të fitoj tituj me Barcelonën e perfaqesuesen”.

I pyetur se çfarë ndien kur Cristiano Ronaldon e ngacmojnë duke thirrur “Messi, Messi” nëpër stadiume, argjentinasi tha: “Nuk ndiej asgjë. Ndihem i lumtur për mënyrën se si më trajtojnë mua njerëzit në çdo stadium që jam, por edhe nëse tifozët të vendosen kundër, jam i vetëdijshëm që nuk mund të bësh asgjë kundër kësaj”.

Tre herë fituesi i Topit të Artë, në fund të intervistës shprehu dëshirën që këtë trofe, ta fitojë në fund të vitit një prej dy shokëve të tij tek Barça, Xavi ose Iniesta. “Këtë vit kanë bërë shumë gjëra si duhet dhe udhëhoqën Spanjën në suksesin e dytë në Europian, pas atij të botërorit. Cristiano gjithashtu është një futbollist i madh dhe mund ta fitojë, ashtu si Casillas, por unë personalisht uroj që suksesi t’i përkasë njërit midis Xavi ose Iniestas”.

Top Channel