Shay Given tërhiqet nga kombëtarja e Irlandës

14/08/2012 02:00

Portieri i Republikës së Irlandës dhe një sërë klubesh me emër në Britani, Shay Given është tërhequr nga kombëtarja e vendit të tij.

Given, 36-vjec, është lojtari me më tepër përfaqësime në kombëtaren irlandeze, me 125 të tilla.

Aktualisht portier i Aston Villës në Angli, Given tha se vendimi për tërheqjen ka qenë mjaft i vështirë.

“I kam dedikuar 16 vjet të jetës sime kësaj kombëtareje dhe kam një afrimitet të madh me këtë ekip”, tha Given.

“Dua të falënderoj Giovanin(Trapatonin), Tardellin, dhe Alan Kelin për mbështetjen e tyre gjatë kohës që kam kaluar me ekipin”, shtoi ish-portieri i Njukasëllit dhe Manchester City-t.

Given debutoi me kombëtaren e vendit të tij kur ishte vetëm 19 vjec, në një takim kundër Rusisë, dhe shumë shpejt u bë një figurë e rëndësishme mes dy shtyllave kur zëvendësoi në atë rol legjendën Pat Boner.

 

Top Channel