Britanikët, vendi mikpritës i Lojrave Olimpike 2012, u renditën si një nga kombet më të sukseshme për nga rezultatet. Me 29 medalje të arta, Mbretëria e Bashkuar qëndron e treta pas dy shteteve gjigande si Amerika dhe Kina.

Jo shumë vite më parë, në Lojrat Olimpike të Athinës, rezultati ishte krejt tjetër. Në 2004 britanikët u renditën të dhjetët me vetëm 9 medalje ari, ose tre herë më pak.

Por kujt i takon merita për këtë ngritje të fortë të sportit britanik? Alister Kembell, ish-zëdhënës i Toni Bler dhe një nga gazetarët me të njohur në Angli, në një opinion për CNN thotë se suksesi i dedikohet kryesisht politikave të qeverive britanike në mbështetje të sportit.

“Suksesi ka shumë baballarë”, shkruan Kembell, duke cituar thënien e famshme të presidentit Truman, “por unë do të veçoja vetë sportistët dhe ish-qeverinë e Xhon Meixher, i cili ndërtoi llotarinë kombëtare, që bëri të mundur investimet në sportin elitar”.

Sipas të dhënave zyrtare, në 17 vitet e fundit, llotaria kombëtare e Britanisë ka dhuruar 28 miliardë paund për sportin dhe artin, përkatësisht 30 për qind të totalit të të ardhurave. Vetëm vitin e fundit ajo dhuroi 2 miliardë paund për Lojrat Olimpike.

Rezultati ishte një sukses i gjithanshëm, jo vetëm në rezulatet e ekipit britanik por edhe në organizimin e lojrave, që impresionuan edhe kryeministrin shqiptar. Por euforia e kryeministrit mbeti vetëm në deklaratat e tij sepse rezultati ishte disfatë.

Shqipëria doli sërish pa asnjë medalje, dhe fakti i vetëm për të cilin u përmend në mediat botërore, ishte ai i vendit të parë që u zbulua me doping dhe sigurisht që kjo nuk bën krenar asnjë shqiptar.

Sporti në Shqipëri mbetet i keqfinancuar. Në vitin 2012, qeveria ka dhënë në total për sportin 600 milionë lekë ose rreth 6 milionë dollarë. Kjo është më pak se 0.05 për qind e prodhimit kombëtar.

Shqipëria është vend i varfër, me një buxhet të vogël dhe qeveria  justifikohet se vendi ka të tjera prioritete. Por buxheti nuk është rruga e vetme për të financuar sportin. Shumë vende, përfshirë dhe ato më të fuqishmet ekonomikisht, kanë gjetur mënyra të tjera për të mbështetur sportin.

Teksa Britania, Austria dhe thuajse çdo shtet tjetër në Europë i ka detyruar me ligj llotaritë kombëtare të japin një pjesë të madhe të të ardhurave për sportin, qeveria shqiptare e shet liçencën e llotarisë pa i vendosur kompanisë fituese asnjë detyrim për të financuar sportin.

Dhe i vetmi detyrim i vendosur është ai se duhet të paguajë 10 për qind të xhiros bruto si taksë të posaçme për bixhozin, edhe ky një nga nivelet më të ulëta në Europë, deri në dy herë madje krahasuar me vendet e tjera.

Paratë e llotarisë, që duhet të kishin financuar ekipet kombëtare, ashtu si në çdo vend të botës, në Shqipëri do të shkojnë si fitime të majme për kompaninë e huaj tashmë të njohur, në një nga tenderat më të përfolur dhe të dyshimtë  në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA