Web-i i Presidentit, arkiva e zhdukur dhe mungesa e seriozitetit

11/08/2012 00:00

Igli Gjelishti* – Të nesërmen e ditës që Bujar Nishani mori detyrën e
kreut të shtetit, shumë gazeta kishin një artikull që i referohej
mosfunksionimit të website-t të Presidencës. I ndodhur me pushime atë
periudhë, në atë gjysmë ore që i rezervoja çdo ditë vetes për t’u
përditësuar me ndodhitë nga Atdheu, e kalova lajmin me një buzëqeshje të
lehtë, të përforcuar më shumë nga lajmi i emërimit si këshilltar i
Presidentit i një pretendenti për Mbret.

Në fund të fundit, në një vend ku Gjykata Kushtetuese ka dy vjet me një të tretën e anëtarëve të saj me mandat të skaduar, mungesa e website-t të Presidentit të Republikës për pak ditë (apo pak javë, siç do të verifikohej më pas) nuk ishte ndonjë kiamet i madh. Sigurisht, do të kishte qenë më e udhës që të lihej online website i vjetër, ndërkohe që ndërtohej i riu apo më mirë akoma, në atë një muaj e ca kohë nga dita e votimit në Kuvend deri në ditën e marrjes së detyrës, të ishte menduar për këtë çështje. Megjithatë, edhe kjo nuk ishte shumë shqetësuese, ashtu siç nuk ishte edhe fakti që ditët u bënë javë, e ndryshimi i vetëm në faqe ishte mesazhi, që nga ‘Ky website është në ndërtim’ u shndërrua në ‘It works’, një mesazh i gatshëm që del sapo instalon një server të ri, e që çdo njeri i kujdesshëm do shpenzonte ato 3 minuta kohë të nevojshme për ta ndryshuar.

Shqetësimi i vetëm që kisha, ishte frika se ndryshimi i faqes do të shoqërohej me asgjësimin e arkivës. Puna me web-in, por kryesisht puna në media, më kanë bërë të jem shumë i vëmendshëm ndaj gjendjes së website-ve shqiptare, e sidomos atyre zyrtare, që sot nuk janë më thjesht shtojca të zyrave të PR-it të institucioneve përkatëse, por një detyrim ligjor për të bërë transparencën e punës së tyre kundrejt publikut. Si i tillë, website i Presidencës, që ishte ndërtuar gjatë vitit të parë të mandatit të Presidentit Moisiu, diku nga fillimi i vitit 2003, e ishte trashëguar gjatë 5 viteve të Presidencës Topi, ishte një ndër më të mirët e llojit të vet, së bashku me atë të Këshillit të Ministrave. Sigurisht, ai nuk ishte aspak i bukur, jashtë mase i vjetër e ndoshta edhe me ndonjë problem sigurie, por nga mënyra dhe shpejtësia e përcjelljes së informacionit, ishte për t’u marrë shembull.

Të enjten, shqetësimi im u konfirmua. Presidenca publikoi website-n e ri dhe arkiva e artikujve është zhdukur. Kur klikon tek linku ‘Arkiva’, lajmi më i vjetër që shfaqet, është takimi i Presidentit Nishani me ish-Presidentin kroat Stipe Mesiç; lajm ky i para pak ditëve. 10 vjet arkiv, ku pasqyrohej çdo aktivitet i presidentëve Moisiu e Topi, të paktën nuk është më publik. Uroj, shpresoj e u bëj thirrje personave përgjegjës që ta ruajnë dhe ta rikthejnë online këtë arkiv. Është një pasuri e pazëvendësueshme, që sot ndoshta nuk ia dimë vlerën, por që pas 100 vjetësh do të jetë një burim i madh informacioni për ata që do të merren me historinë e këtij vendi në prag të 200-vjetorit të Pavarësisë.

Por fatkeqësisht, arkiva nuk është problemi i vetëm i website-t të ri të Presidencës, madje as më i madhi. Duke mos i hyrë fare design-it, që është subjektiv e kushdo mund ta gjykojë sipas mënyrës së tij, duke mos u marrë as me strukturimin e informacionit, faqja e re e kreut të ri të shtetit ka probleme të mëdha sigurie e serioziteti.

Së pari, website është i ndërtuar mbi WordPress, një platformë e gatshme, e specializuar për blogje, që mund të shkarkohet nga kushdo falas në internet, t’i vendoset një design e të publikohet në web. Përveç pjesës së mungesës së profesionalizmit dhe seriozitet, që website i institucionit kryesor të shtetit është i ndërtuar në një platformë falas, shumë bazike e që mund të përdoret nga shumica e 16 vjeçarëve të brezit të sotëm, problemi kryesor në këtë zgjidhje është siguria. Duke qenë open source (pra me kod publik, që mund ta shohë kushdo), një platformë e tillë nuk garanton aspak siguri. Pavarësisht se ata që e kanë ndërtuar janë ekspertë të fushës (ata që kanë ndërtuar WordPress-in, jo website-n e Presidencës), kjo nuk e përjashton faktin që kodi të ketë probleme sigurie e, duke qenë i hapur për këdo, dikush mund ta zbulojë dhe ta shfrytëzojë diçka të tillë për të dëmtuar faqen (bie fjala për të vendosur një flamur serb ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë).

Së dyti, në momentin që shkruan president.al tek adresa e browser-it, automatikisht shkohet në një adresë tjetër, ku realisht ndodhet faqja e Presidentit. Pra, website momentalisht nuk hostohet në serverat e Presidencës dhe ende nuk është lidhur me domain-in president.al.

Së treti, ndërtuesi apo ndërtuesit e faqes, nuk kanë marrë as mundimin të ndërrojnë vendndodhjen standarde të pjesës së administrimit të faqes. Një tjetër problem sigurie, që ua lehtëson punën atyre që kanë për qëllim t’u bëjnë keq faqeve shqiptare (besomëni, janë të shumtë).

Këto janë ato që munda të shoh duke u vërtitur disa minuta në website. Të tjera kam frikë të kërkoj, sepse pa dashur mund ta dëmtoj atë.

Në fund, dua të saktësoj që ky nuk është një rast i veçuar. Për t’u marrë me gjithë amatorizmat e website-ve të institucioneve shqiptare, nevojitet një rubrikë e përditshme në këtë gazetë. Në përgjithësi, të gjitha janë të ndërtuara mbi WordPress apo Joomla, dhe me përjashtim të website-t të Këshillit të Ministrave dhe nja dy-tre ministrive të tjera, asnjëri prej tyre nuk ka një sistem të dedikuar manaxhimi. Madje, as ai i Ministrisë për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit…

* Webmaster, Top Channel

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA