Usain Bolt tregoi një talent të veçantë, pasi u konfirmua si sprintieri më i mirë i të gjitha kohërave.

Suksesi në finalen e 200 metrave me kohën 19.32 e shndërroi në të parin në histori që fiton në 100-200 metra në dy Olimpiada radhazi, por menjëherë pas garës, Bolt veshi mantelin e një fotografi të aftë, duke kapur me një aparat të marrë hua momentet më të bukura të mbrëmjes.

Për 25-vjeçarin, shija e suksessit ishte edhe më e veçantë, pasi menjëherë pas tij u renditën bashkëkombasit Blake dhe Weir, duke formuar një treshe historike në podiumin e fituesve.

Aparati i marrë hua ishte i fotografit Jimmy Wixtr, i cili mbulon Lojrat Olimpike për të përditshmen suedeze “Aftonbladet”.

”Kisha disa ditë që i kërkoja të bënim një foto përpara garës dhe ai më premtoi se mund ta bënim atë pasi të fitonte në 200 metra”, rrëfeu Wixtr për mediat.

”Për këtë arsye u vesha sërish njësoj, në mënyrë që të më njihte, e kërkova dhe pasi përfunduam garën, i kërkova të bënte disa foto. Si fotograf, Bolt është mjaftueshëm i talentuar. Arriti të merrte disa foto me të vërtetë të mira të Blake ndërsa bënte shaka me aparatin”.

Megjithatë, kjo nuk ishte hera e parë që xhamajkani tregonte këtë talent të rrallë, pasi aparatin e suedezit ai e kishte përdorur edhe dy herë më parë, në gara në Daegu dhe Romë, kur fotografoi veten gjatë një stërvitje.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA