Tashmë është shndërruar në një standart, fituesit në Lojrat Olimpike pozojnë duke kafshuar medaljet e tyre.
Por, a ju ka shkuar ndonjëherë në mendje se përse dhe se si u formua kjo traditë?
”Arsyeja më e mundshme është ajo e kënaqjes së shtypit të etur për poza”, deklaroi David Wallechinsky, president i Shoqatës Ndërkombëtare të Historisë Olimpike.
”Është shndërruar në një fiksim të fotografëve”, shtoi autori i librit “Historia e Plotë e Lojrave Olimpike. “Mendoj se atyre u duket si një fotografi ironike, diçka që mund të shitet. Nuk besoj se ndonjë atlet e bën vetë atë gjest”.
Sipas ekspertit, kjo praktikë është bërë gjithmonë e më e përhapur, sidomos midis notarëve, ndonëse ai nuk është në gjendje të japë një përgjigje përse.
Megjithatë, ky nuk eshte nje standart unik i olimpistëve, pasi edhe tenisti spanjoll, Rafael Nadal, është bërë i famshëm pasi kafshon trofetë që fiton.
Historikisht, praktika e kafshimit të metalit duket se e ka origjinën tek paratë, pasi në këtë mënyrë provoheshin dikur monedhat nëse ishin origjinale apo të falsifikuara.
Sot, duke qenë se prej dekadash tashmë monedhat nuk kanë më në përbërje metale me vlerë, nuk ka më kuptim që ato të provohen në këtë mënyrë.
Në këto Lojra Olimpike, një medalje e artë ka në përbërje vetëm 1,34% ose 6 gramë ar. Pjesa tjetër është 93% argjend dhe 6% bakër.
Medaljet janë bërë vetëm me ar në tre Lojra Olimpike, në vitet 1904, 1908 e 1912, por përmasat ishin më të vogla atëherë.
Top Channel