Vrasja me fëmijën për dore

09/08/2012 00:00

ALEKSANDËR ÇIPA – “Ngjarja, ngjarjen nuk e le të shuhet”, kjo shprehje
është e vlefshme për realitetin tonë. Por në rastin e sotëm ngjarjet
janë të lidhura fatkeqësisht me jetëfikjet e njerëzve për shkak të
krimit. Një shpërfaqje të tillë të krimit, me kaq lloje dhe sidomos me
kaq shumë familjepërfshirje, si gjatë muajve të fundit, nuk e kemi ndier
kurrë.

Po shndërrohemi në një shoqëri që po përgjak përditshmërinë e saj. Kjo nuk është thjesht një çështje që ekspozon pafuqinë e shtetit dhe të policisë së tij ndaj krimit. Kjo nuk është thjesht shpeshtim apo pasurim i një kronike kriminale që synon apo ekspozon të sfiduar strukturat antikrim të shtetit. Këtë konstatim në të drejtën e vet le ta bëjë e konsumojë opozita politike e vendit. Sepse ky është mision natyral i saj dhe i detyrueshëm për t’u kryer në çdo ditë e pas çdo ngjarjeje.

Në ndodhinë e vet, kjo kronikë kaq e pasur dhe tronditëse e krimit, ekspozon atë që përbën thellësinë e sotme të krizës shpirtërore, sociale, ekonomike dhe mbi të gjithë edukative që përjetojnë kategori dhe grupe të margjinalizuara të shoqërisë, të cilat bien pre ose gjenden në “sokakun” e kriminalitetit pa krye.

Tentativa e rrëmbimit të bizhuve të një nëne 37-vjeçare në prani të fëmijës së vet dhe motrës dhe më pas krimi i vrasjes me thikë dhe i plagosjes së motrës, në një nga rrugët ku nuk mungojnë kalimtarët në Tiranë, është një “episod-kampion” për rrezikshmërinë dhe pasigurinë urbane. Kjo është një vrasje me fëmijën për dore. Ajo nënë e humbi jetën për një arsye të thjeshtë, për shkakun e një grabitjeje të vogël, por pa e ditur se do të pasohej me një pësim të tillë jetëmarrës. Për këtë shkak ajo është edhe më alarmante dhe meriton një reagim institucionesh të specializuara për të parandaluar të mundshmet e tjera dhe për të evituar tragjeditë e radhës. Të tilla episode natyrisht ndodhin edhe në metropole të botës, ku mbipopullimi dhe trafiku i qarkullimit njerëzor është një ndër kryeliritë me pësime. Por grabitja në Tiranë ndodh pikërisht në periudhën kur numri i banorëve që gjenden në kryeqytet është ndoshta më i vogli në të gjithë muajt e vitit, për shkak të sezonit të pushimeve verore.

Kjo grabitje-vrasje është kryer, sipas komunikimeve paraprake të policisë së kryeqytetit prej të rinjve që dyshohet se janë adoleshentë. Pra është detaj që të sjell menjëherë në mendje imazhet e atyre zonave të Italisë së dikurshme jugore, kur krimi ordiner si paradhomë e krimit të organizuar terrorizonte banorët dhe flijonte pafajësisht të pafajshmit. Në Tiranë askush nuk ka dyshim se qytetari i pafajshëm fqinjëron kaq frikshëm me rrezikun dhe krimin. Dhe ngjarje si kjo me nënën 37-vjeçare, shembin jo vetëm imazhin e shtetit, rrënojnë në perceptimin dhe përshtypjen publike jo vetëm zotësinë e policisë, por në mënyrë të frikshme zgjojnë frikë dhe shtojnë ankth qytetar.

Kjo gjendje nuk meriton konstatim e nuk duhet pritur të pasohet me masa propagandistike e operative për shkak të mediatizimit. Kjo nuk është një çështje për të cilën politika fiton një argument apo shton një tjetër fakt akuzimi dhe denoncimi brenda palëve.

Kjo është një dhimbje të cilën nuk e ka vetëm ajo familje që mbeti pa nënën dhe pa bashkëshorten. Kjo është një dhimbje që përjetohet heshtur dhe po kaq heshtur po i nënshtrohemi, duke mbetur në fqinjërim me dhimbjen e radhës e cila mund të jetë edhe më tragjike se kaq. Mediat u gjendën në punë. Kanë dy ditë që e mbajnë episodin tronditës në fokus, po përcjellin gjithë reagimet dhe veprimet operative të strukturave policore të Drejtorisë së Tiranës, po i japin hapësirë fjalës së ministrit të ri të Brendshëm apo edhe forcave politike që reagojnë me shqetësimin e tyre.

Mirëpo në vend mungon diçka tjetër, shoqëria ka në gjendje kritike ndjeshmërinë e saj të reagimit dhe solidaritetit.

Gjatë ndjekjes me vëmendje të kronikave të përgatitura nga reporterët e kronikës nëpër kanalet televizive, si dhe gjatë leximit të raporteve narrative në shtypin e shkruar, një konstatim i pohuar prej dëshmitarëve në atë rrugë ku ndodhi grabitja dhe vrasja, ishte i përbashkët. Askush nuk i dha ndihmë të menjëhershme viktimës dhe klithmave të saj, ndërsa po e grabisnin dhe përgjaknin brutalisht, nuk iu gjegj me guxim asnjë kalimtar i rastit. Kjo është prova reale e solidaritetit tonë të munguar qytetar, e atij solidariteti të cilin e investon Perëndimi si pasuri të vyer civiliteti dhe jetëdashjeje, të cilin ne kemi e çmuar dikur dhe po e humbim palogjikshëm në këtë kohë rrënimesh morale. Matanë atij solidariteti të munguar plotësisht, sot po bëhemi pjesë e audiencës soditëse, spektatorë të tragjedive të vogla të cilat janë kaq të shumta e kaq të shpeshta në “kaq pak Tiranë” siç do të shkruante Fatos Arapi në një ndër ditët e këtij tranzicioni.

Dhe në një shoqëri që shuhet e vdes solidariteti, kur akuza publike bëhet më e rëndësishme se vetë procesi kërkues dhe ndëshkues i kriminelit, drejtësia përballë krimit do të mbetet gjithmonë e paarritshme. Kjo tragjedi në rrugë, pra ajo vrasje prej grabitjes së dy adoleshentëve e një nëne me fëmijën për dore, është një kulm i tragjizmit tonë social dhe i pambrojtshmërisë prej shtetit të së drejtës. Nga kjo gjendje nuk na nxjerr dot asnjë masë preventive propagandistike, as një task-forcë dhe aq më tepër asnjë regjim i ri patrullimesh nëpër lagje dhe rrugë. Shoqëria ka nevojë për përfshirjen në një gjeratore të reagimit të ri social, një gjeratore e cila nxjerr në rend të parë solidaritetin dhe ndjeshmërinë tonë komunitare. Kjo nevojitet të nisë gjithkund, përderisa në kryeqytet ngjet vrasja me fëmijën për dore.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA