MONIKA SHOSHORI STAFA – “Grindja” midis autorëve, botuesve, kritikës
letrare dhe mediave të printuara e të numerizuara, nuk është e re. Nuk
mbahet mend qoftë dhe një rast i vetëm që të jetë pranuar prej njërës
prej palëve përgjegjësia për gjithçka joserioze që ndodh në procesin e
ndërlikuar të komunikimit prej letërsisë te lexuesi, me disa ndërmjetësi
tashmë të përmendura mes tyre.
Shkrimtarët thonë se veprat e tyre janë të denja, janë botuar në këtë gjuhë e atë gjuhë, kanë marrë këtë çmim e atë çmim. Tani autorët e kanë fare të kollajtë të vetëpromovohen. Cilëndo “shtëpi virtuale” të rrjetit të numerizuar “fb” ose “twitter” të hapësh, qoftë dhe me një zgjedhje krejt rastësore, do të vëresh kopertina librash një pas një, dhe doemos pyetje “në cilën librari mund ta gjejmë”, pyetje që, pavarësisht prej përgjigjes, autorin e saj nuk e çon te libraria. Në një farë mënyre, autorët që mbushin letërsinë nuk kanë kujt t’i ankohen, sepse “gazetën e vet dixhitale” e kanë, aty mund të shkruajnë çfarë të duan për librin e tyre, aty mund të mbledhin mendime dhe të zhvillojnë debate. Jo vetëm kaq, secili prej tyre mund të hapë dhe një faqe virtuale në emrin e librit që ka botuar dhe aty të verifikojë çfarë mendojnë njerëzit për të. Pak më ndryshe është çështja për shkrimtarë të një rëndësie cilësore, të cilët as tentojnë të gjejnë hapësirë diskutimi përmes “gazetave vetjake”, as u intereson shumë mendimi popullor, ndërkohë që specialistët ose u shmangen veprave të rëndësishme, ose presin të verifikojnë pikëpamjet e tyre përmes faktorit “kohë”.
Zakonisht përgjegjësia i është lënë kritikës letrare, ndonëse ky term është krejt i njëanshëm: pse duhet të jetë kritik dhe jo edhe vlerësim; a duhet të merren studiuesit vetëm me vepra të qortueshme apo edhe me ato që përbëjnë cilësinë letrare. Me sa duket termi “kritikë letrare” mban ende gjurmën ideologjike të së shkuarës, kur detyrë e saj ishte vigjilenca prej ikjes nga parimet dhe shmangieve ideologjike. Sot në botë flitet për “protonizëm”, që është një alternativë e kritikës, madje studiues shqiptarë në Perëndim e kanë propozuar si sjellje metodologjike.
Autori, koha, vepra, botuesi, kritika, studimet, media, lexuesi – rruga për të shkuar deri te leximi ka qenë me të vërtetë me shumë stacione dhe mjaft e gjatë, por sot, sikurse u tha, është bërë më e lehtë. Të paktën një gjë është krejt e sigurt: kurrë ndonjëherë libri nuk ka pasur kaq shumë mundësi ekspozimi, nëse përfillim si të tillë dhe ekspozimin në rrjetet virtuale. Po a nuk e përdorin edhe kryetarë shtetesh e qeverish, personalitete të artit dhe të shkencës, këtë rrugë popullarizimi? Dhe me të vërtetë, po të niseshim prej konsideratave që shprehen poshtë ballinave të librave në rrjetet e facebook-ut, do të thuhej se gjithçka është më së miri. Por ky është vetëm një iluzion. Sepse të gjithë e dinë se deri në ç’pikë ka rënë leximi dhe deri në ç’shkallë është degraduar fati i librit. Dikur ishin shkrimtarët që merreshin me njëri-tjetrin dhe promovonin njëri-tjetrin: Kuteli Lasgushin, Fishta Xanonin, Gjeçovin e Prenushin, Poradeci Musinenë. Tani shkrimtarët më shumë merren me poshtërimin e njëri-tjetrit. Me poshtërimin e të gjallëve dhe të vdekurve. Me krijimin e opozicioneve nga më të pabesueshmet: politike, krahinore, fetare. Ndërsa ajo që dikur quhej kritikë letrare zëre se ka vdekur. Përderisa në Shqipëri shtyp letrar nuk ka, ç’mund të thuhet tjetër? Cila është tribuna ku shprehen mendimet e kritikëve? A duhej të shuhej javorja “Drita”, për të cilën dikur zinin radhën paralel me radhën e qumështit qindra qytetarë të dielën; a duhej të mbaronte “Nëntori”, që, me gjithë syrin e tij të mprehtë për të goditur në kohë çfarë mund të vlerësohej mirë përkohësisht, por pa pëlqim nga lart? Kjo nuk është një çështje për sot. Kohë më parë mund të ishte shtruar. Sot është për t’u shenjuar se shtyp letrar nuk ka. Edhe ato revista që grupojnë njerëz me shije të përafërta që ekzistojnë përgjithësisht nuk janë të interesuara për letërsinë e sotme.
Ndërkohë, bibliotekat e personaliteteve të shkencës dhe të letrave, që kanë dalë në shitje në trotuaret e rrugëve dhe bulevardeve, tërheqin vëmendjen e lexuesit të mençëm: rishiten, me gjithë vulat e atyre që i kanë përdorur, me gjithë shenjimet që mund të kenë lënë, sepse i besojnë shijes së atij që i ka blerë dikur, jo për ndonjë nostalgji, siç mund të jetë gati dikush për të thënë. A nuk ndodhi pikërisht kështu vitin e kaluar me bibliotekën e gjuhëtarit A. Kostallari, e cila u zhduk sa hap e mbyll sytë nga “vitrina e trotuarit”? Njerëzit botuan artikuj kritikë pse kjo bibliotekë po shpërbëhej kështu, por njëherësh ishin të lumtur që kishin arritur të gjenin ndonjë kopje prej bibliotekës së nxjerrë në ankand.
Shpesh flitet për krizë leximi, po aq sa dhe për krizë të mendimit kritik, për krizë të letërsisë vetë. Disa ditë më parë pata shprehur mendimin se një pjesë e përgjegjësisë për gjithë këtë krizë pa zot është e mënyrës si mediat e përçojnë vlerësimin për librin te lexuesi. Është fakt se në mungesë të kritikës letrare dhe në kushtet kur vetë krijuesit nuk duan më të shkruajnë për njëri-tjetrin, qoftë dhe në mënyrë kritike, siç ishte në fillimin e shekullit të kaluar (rasti F. Konica – Naimi), fati i promovimit të vlerave të letërsisë ka mbetur në duart e gazetarëve të rubrikave kulturore, të cilët, me gjithë vlerësimet që meritojnë, në mos për tjetër për kohën që u kushtojnë autorëve duke i intervistuar pa i lexuar librat e tyre, duhet thënë se nuk janë pjesa më e kualifikuar e gazetarisë shqiptare. Nuk ndodh vetëm në realitetin shqiptar: libri shitet pasi janë blerë gjithë gjërat e tjera që i duhen një familjeje; për librin në shtyp ka vend kur diku tepron një copëz vend. A nuk ishte rasti i debatit popullor për dorëshkrimin e një romani që u desh të administrohej nga gjykata pikërisht shembulli se sa poshtë është ndërmjetësimi i shtypit për librin? Është, doemos. Më shumë se dy javë zgjati ky debat, kush ka të drejtë dhe kush nuk ka të drejtë, është dhuratë apo është grabitje. Por vepra në vetvete nuk i interesoi askujt. Vetëm një studiues arbëresh shtroi pyetjen se dorëshkrimi mund të ndryshojë mendimin për veprën që njohim, për letërsinë vetë. E thënë më thjesht: faqet kulturore bëhen faqe kryetitujsh nëse ka diçka sensacionale për autorin, për sherret apo miqësitë e tij, por për veprën jo.
Tradicionalisht koha e pushimeve njihet si kohë leximi, jo vetëm për shkollarët, që kanë marrë detyra, por edhe për të rriturit, që, në intervalin nga njëra lojë në tjetrën, mund të shfletojnë diçka, qoftë dhe për kureshtje. Por cili libër shkon në duart e tyre? Kryesisht kujtime kuzhinierësh, magazinierësh, rojash, sanitarësh, të atyre që ishin emërtesa e vjetër politike. Kjo është dhe fytyra e shtypit sot: ashtu si dikur, portretet e shefave të dikurshëm politikë mbushin ballinat e tyre. Letërsia dokumentare që ka lidhje me këta shefa lexohet mirë, por libri i shëndetshëm, letrar a shkencor qoftë, mbetet në raftet e bibliotekave. Dhe në familjet shqiptare gjithnjë e më shumë vendin e këtyre të fundit po e zënë diskografia dhe multimedia.
Po pse një letërsi e rrezikuar shumë prej vetëbotimit, mediokritetit dhe dështimit, shërbehet edhe më mediokre prej mediave, si ndërmjetëse kryesore të tyre? Sepse edhe media sot nuk është institucion vlerësimi dhe certifikimi të cilësisë, qoftë për letërsinë, qoftë për kulturë, qoftë për tregti. Miqtë e mediave dhe të gazetarëve që mbajnë rubrikat kulturore; parapagimi i kohës televizive në të zezë a në të bardhë, dhe mjaft shkaqe të tjera, bëjnë që ekranet dhe të përditshmet të jenë gjithë të mbushura me libra mëhallash e fisesh, kapedanësh që nuk kanë qenë kurrë kapedanë dhe personalitetesh që s’kanë qenë kurrë të tillë. A është kjo një dukuri krejt e paevitueshme? Zgjedhja e mençur që ka bërë kolegia Beti Njuma, përkujdesëse e rubrikës së përjavshme “Vitrina e librit” “në Top Channel”, duke iu referuar rregullisht ekspertëve të librit dhe të komunikimit, studiuesve; duke përzgjedhur kryesisht librin e padyshimtë, vlen si pohim se kjo nuk është e pashmangshme. Por nëse do të veprohej edhe gjetiu kështu, që përzgjedhjen e librit të javës ta bënin specialistët, atëherë do t’u pritej rruga ndereve dhe implikimeve dhe “vitrina e librit” nuk do të ishte siç është sot: ndoshta kurrë s’ka qenë më keq. Dhe kështu, nuk ka më as Shën Libër, as Shën Lexim, por komprometim shijesh dhe çoroditje të lexuesit.
Top Channel