MUSTAFA NANO – “Ministria e Mbrojtjes dhe trupat ushtarake, megjithëse
sipas Kushtetutës duhet të qëndrojnë larg çdo funksioni apo përfshirjeje
në aktivitetet partiake, u vunë në shërbim të PD-së në festën e
organizuar në 22 mars të këtij viti, festë ekskluzivisht partiake.
Në [dokumentin që kemi] janë shënuar emrat e ushtarakëve dhe civilëve të repartit, por dhe mjetet apo vinçat që u përdorën për të ngritur podiumin e festës dhe elementeve të tjerë dekorativë. Ato përfshijnë 3 data: 20 mars, 21 mars dhe 23 mars 2012. Destinacioni i mbërritjes dhe transportit të mjeteve është saktësisht sheshi “Nënë Tereza”, aty ku u mbajt mitingu i PD-së.”
Sa më sipër, është pjesë e një lajmi të dokumentuar, dhënë nga televizioni “Vizion Plus” (reporterëve të këtij televizioni u kishte rënë në dorë një shkresë; libri i daljeve të automjeteve, thuhej, ku ishin regjistruar shërbimet që Forcat tona të Armatosura u kishin ofruar para e pas 22 marsit, festës së demokratëve në pushtet). Është një skandal, dhe kjo nuk ha diskutim asnjë çikë. Është një situatë e dhunimit flagrant të kushtetutës së Republikës. Në nenin 167 të ligjit themeltar të shtetit, pikën 1, thuhet se “Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund… të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike”. Në rastin konkret janë shtyrë pak më tutje. Ushtarakët nuk kanë marrë pjesë, por janë vënë në shërbim të një veprimtarie pastërtish politike.
Të gjithë pas një lajmi të tillë merremi me të drejtë me Arben Imamin, dhe nuk para na shkon në mendje të bëjmë, me po aq të drejtë, ca pyetje të thjeshta ‘pa Imam’: Ç’dreq gjeneralësh, kolonelësh, majorësh, etj, janë këta të ushtrisë sonë, që nuk kanë fuqi të denoncojnë, në mos të pengojnë, një përdorim kaq abuziv e antikushtetues të forcave të mbrojtjes? Ç’dreq Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është ai që është, apo ai që ka qenë në atë moment, nëse nuk ka fuqi t’i thotë një kodosh ministri: ‘Hej boss, kjo nuk bëhet!’? Ok, dakord, nuk kanë këllqe të ngrenë akuza e të bëjnë rezistencë publikisht, po një sinjal në rrugë jo publike mbi abuzimin që bëhet nuk kanë mundur t’ia dërgojnë dot një gazete a një televizioni? Si ka mundësi që ndër dhjetëra zyrtarë e oficerë, të edukuar në perëndim, që punojnë në ministri e që shërbejnë në ushtri, nuk del qoftë dhe njëri syresh të denoncojë një çmenduri si kjo e mobilizimit të ushtrisë në funksion të një feste partiake? Si ka mundësi që e lënë dhe ushtrinë të shndërrohet si Garda tribale e Republikës?
Unë e kam gjetur përgjigjen: Janë njerëz që nuk kanë dinjitet, që nuk e duan këtë vend, që nuk e duan as atë punë që kanë marrë përsipër të bëjnë. Dhe kur them këtë nuk është se nuk mirëkuptoj merakun e secilit prej tyre për të siguruar mbijetesën në rrethanat e sundimit të vendit nga një regjim, që ka në dorë të promovojë e të ndëshkojë, të rekrutojë e të shkarkojë, të gradojë e të degradojë, të hapë e të mbyllë dyer për cilindo që do të bëjë karrierë në sektorë të ndryshëm të administratës, përfshirë dhe ushtrinë. Jo, e mirëkuptoj plotësisht këtë merak, pasi të përpiqesh të mbijetosh në një zgëq të vështirë të planetit, siç është vendi ynë, është gjëja më humane që mund të mendohet. Secili në këtë botë bën ndonjë kompromis në emër të mbijetesës. Dhe kuptohet, kompromisin e bën me të keqen; dhe me të këqijtë. Mirëpo të bësh kompromis nuk don të thotë t’i futësh shqelmin për fare dinjitetit individual, pasionit për profesionin, shqetësimit për të mirën publike apo interesit kombëtar. Të bësh kompromis nuk don të thotë t’i hapësh rrugë së keqes, apo t’i bëhesh urë së keqes, apo ta duartrokasësh e ta mbështesësh të keqen. Të bësh kompromis don të thotë, fjala vjen, që në vend të rezistencës apo luftës publike ndaj së keqes, apo të të këqijve, të gjesh rrugë të sigurta e të maskuara për ta luftuar këtë të keqe. Afërmendsh, nuk është heroike kjo gjë; por është një gjë që kuptohet, amá.
E bukura është se ushtarakët që kanë bërë sehir, apo kanë inkurajuar, përdorimin e resurseve tona ushtarake për qëllime jo ushtarake apo kanë ofruar shërbimet e tyre në një festë partiake, mund të jenë me mendjen se nuk kanë bërë asnjë mëkat; ose në rastin më të mirë, nuk kanë bërë ndonjë mëkat të madh; thjesht kanë bërë një kompromis. Mirëpo, sjellja e tyre konkrete nuk është kompromis; në këtë rast, ata kanë injoruar, saktësisht e kanë dëmtuar, krejt interesin publik (interesi publik në këtë pikë është statusi e dinjiteti i ushtarakëve dhe i ushtrisë), dhe kanë kuruar me merak maniakal interesin e tyre privat (interesi privat është, në rastin më të mirë, ai vend pune që kanë). Sipas meje, këta njerëz që heshtin deri në këtë farë feje në rrethana të tilla nuk kanë asnjë alibi, asnjë justifikim.
Por ata kanë një ngushëllim. Të gjithë (e kanë bindur veten, se janë që të gjithë; ndoshta në këtë pikë kanë të drejtë) bëjnë si ata. Në këtë vend kanë ndodhur gjëra shumë më skandaloze se sa përdorimi i ushtrisë në një festë partiake. Në këtë vend u lidh një marrëveshje dypalëshe mes nesh e Greqisë, nëpërmjet së cilës iu falën fqinjit tonë jugor (nuk dihet për ç’hesape të ndyra) dhjetëra kilometra katrorë nga territori ynë ujor, dhe ndonëse draft/marrëveshja kaloi në dhjetëra duar ekspertësh shqiptarë të administratës, diplomatë, këshilltarë, deputetë, politikanë, ushtarakë, (prapë ushtarakë!!), asnjëri prej këtyre të fundit nuk dha një sinjal mospajtimi me këtë marrëveshje, asnjëri syresh nuk demonstroi pak shqetësim, asnjëri syresh nuk i dërgoi (qoftë dhe me identitet të maskuar) një sms denoncuese a informuese një gazetari, një gazete, a një intelektuali publik, a një prokurori, a një polici, a një ku e di unë se çfarë.
Është klima e kapitullimit përballë regjimit që sundon, që prodhon këtë heshtje e frikë. Dhe është aq totale dhe e dukshme kjo klimë, sa vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta anuluar marrëveshjen në fjalë, na çuditi aq shumë të gjithëve, sa gati e heroizuam si gjest; madje, ca e ca “nuk arrijnë t’ia gjejnë dot shpjegimin” sjelljes së Gjykatës Kushtetuese”. Kjo është Shqipëria ku jetojmë.
Top Channel