NDUE DEDAJ – “Për fat nuk ndodhi gjë… Pati njëfarë pështjellimi të
trafikut atë pasdite, por pa ndonjë problem.” Në të vërtetë problemi ky
është, frika se diçka mund të ndodhë në mbrëmjen e maturës, aq sa kur
ajo mbyllet, prindërit dhe mësuesit ndihen jo pak të lehtësuar.
Shqetësimi i tyre e ka një bazë, rituali lamtumirës së maturantëve është bërë i zhurmshëm, madje ndonjëherë mbrëmjet e tyre të fundit kanë përfunduar keq, me aksidente me makinë etj. Është e habitshme se si krijohen disa praktika festive pa ndonjë fill që t’i mbajë. Që ka pasur gjithnjë diçka shenjuese pas mbarimit të maturës, kjo është e ditur dhe e përligjur. Një bllok me kujtime shokësh e shoqesh, një polifoto, një darkë e gëzueshme, ndonjë puthje kavalierësh, një takim pas vitesh. Në Shqipëri dhe tjetërkund matura ka historinë e saj të spikatur. Ajo mbaron, por nostalgjia mbetet. Si një thirrje për t’u parë sërish me ata njerëz, me të cilët ke ndarë një kohë të papërsëritshme, rininë tënde gazmore. Ndaj vazhdimisht ka takime maturash, pas njëzet, tridhjetë vitesh. Këtë vit pamë se si kremtoi hijshëm matura e vitit ‘72 dyzetvjetorin e saj. Ka pasur dhe befasi. Para tre vitesh, në Amerikë u mblodh një maturë në kremtimin e 60-vjetorit të saj, kur “maturantët” tashmë ishin 80-vjeçarë dhe nostalgjia ishte si e përlotur. Në të tjera vende “maturantët” e moshuar janë mbledhur e kanë festuar në tren, anije apo dhe në avion. Koha e maturës duket se mban brenda saj një nga ato misteret që të tërheq të kthehesh mbrapa në djalëri/vajzëri, paçka viteve që mbart mbi supe. Nuk mund të ndodhë ndryshe kur je maturant. Je duke i dhënë fund adoleshencës, për më tepër me një dëshmi pjekurie në xhep, ndaj është e pritshme të kërkosh një skenë, ku të dalësh para të tjerëve dhe para vetes, për të thënë se tashmë unë u rrita, jam dikushi në jetë dhe mbrëmja e maturës është idealja për këtë.
Por në dhjetë vitet e fundit vihet re teprim, mbrëmja e maturës ngjan si qëllim në vetvete, me një faturë të fryrë: vajza të veshura si për nuse e djem si për dhëndra. Nëse për të parat problemi kryesor janë fustanet e shtrenjta dhe grimi, sa nuk “njihen” për kollaj, për të dytët meraku mbeten makinat luksoze etj. Secili nga ata përformon rritjen, pjekurinë, sharmin rinor, por ama shpesh si në një “dasmë” kolektive, ku më së shumti kërcehet, teksa më i përshtatshëm mund të ishte një spektakël festiv. Ngaqë nuk ka një linjë, një skenar, para mbrëmjes së maturës ka gjithnjë konfuzion. Nxënësit ndihen të përfshirë, me ditë të tëra, teksa më të shkathëtit dirigjojnë atë që do të jetë “lamtumira” e përbashkët, por thuajse pa pasur në tavolinë një program se si duhet bërë mbrëmja e shumëdëshiruar. Mjafton që përsëritet rituali i viteve të shkuara, pa ndonjë fantazi që do t’i bënte gjërat ndryshe. Vetëm në u shtoftë diçka që nuk ishte, pa për t’u lehtësuar as që bëhet fjalë. Mësuesit nuk është se kanë ndonjë ndikim kushedi në këtë mes, për të mos thënë se nuk përfillen në këtë organizim, vetëm disa prej tyre venë si për forcë zakoni, kurse të tjerët e shohin gati si një barrë. “Tani që kemi mbaruar shkollën, dimë vetë si t’i bëjmë gjërat”, duket se thonë maturantët. Është paradoksale që një maturë pas dyzet vjetësh fton mësuesit e saj, kurse një e sotme bën dallime, ky mësues të vijë në mbrëmje e ky jo (!) Ka humbur jo pak ajo freskia e çiltërsia e dikurshme e një veprimtarie të tillë.
Teksa sheh këtë ngjarje të përvitshme, përmes videove në internet, në shkolla të ndryshme të vendit, vëren natyrisht gazmendin, ndonjë përpjekje për shou, larminë e ngjyrave në veshje, po gjithsesi dominon përformimi i lukut, sikur maturantët janë aty për të demonstruar krehjen, gufimin e flokëve, lyerjen e fytyrës, veshjen ndonjëherë ekstravagante, etj. A thua se kjo është ajo “dëftesa” e pjekurisë që lypet t’i paraqesësh familjes, shkollës, komunitetit. Nuk mund të mos vëresh se ka shumë pompozitet e pak përjetim, kur mbase duhej të ndodhte pikërisht e kundërta. Rrallë vëren risi në këtë organizim, me elemente të shfaqjes artistike, të një balloje mondane, që do t’i kishte hije një rasti të tillë të lumtur. Kuptohet që një veprimtari kësisoj nuk do të jetë një tubim i mirëfilltë protokollar, por as sfiltatë mode jo. Mbrëmja e maturës s’ka pse të jetë si një natë në pub, ku vetëm bëhet qejf, ndonjëherë në atë mënyrë sa për të mos u mbajtur mend.
Pse të mos mendohet, vit pas viti, diçka më origjinale, përtej shëmbëllesës së “jetës së natës”? Secili nga aktorët e shkollës mund të luajë rol në festën e fundvitit shkollor, që kulmon me mbrëmjen e maturës: të parët, vetë të rinjtë maturantë, që kanë dëshmuar sens krijues në auditorë, konkurse, shfaqje, projekte, etj; mësuesit, me një përvojë shumëvjeçare në organizime të tilla arsimore-kulturore; familjet, aq të preokupuara për mbështetjen e fëmijëve të tyre në sfidat e shkollimit, etj., por jo të afta të përballen me kërkesat e tepruara për shpenzime të fëmijëve të tyre. Hajde, pra, të diskutojmë se cila është më e mira që duhet bërë. Mund të jetë si fillim ceremonia e ndarjes së “diplomave”, siç ngjet kudo në mbarim të një cikli mësimor, paçka se diplomimi në këtë rast është simbolik. Pastaj, natyrisht që mund të ketë një ballo lamtumire emocionuese, ku të mos mungojë as muzika simfonike etj. Veshjet me sqimë, përkorja, estetika, danci, fryma gala e të tjera si këto do ta kthenin atë në një ballo për t’u mbajtur mend dhe jo demonstrim spontan i formës pa brendi. Sipas nesh, kryesore është që të bjerë ana spektakolare në publik. Maturantët nuk janë pjesëmarrës në ndonjë konkurs misesh, që po paraqesin veshjet e stinës. Ata janë aty për vete dhe jo për të argëtuar publikun, kureshtarët, sehirxhinjtë, etj.
Por ndoshta problemi do parë pak më gjerë. Matura vërtet është përkushtim për provimet, ama nga gjysma e semestrit të dytë maturantët duan të mbyllin dhe ca “punë” qejfi, si udhëtimet turistike disaditore në qytete bregdetare, etj. Klasat e maturantëve nga i gjithë vendi, një muaj para provimeve, marshojnë drejt hoteleve “me pesë yje”, pa ndonjë shoqërim policor të veçantë, etj. Kjo sipas mendësisë se pas ca muajsh do të ndahemi dhe çfarë do të mbajmë mend? Doemos që shëtitjet shkollore janë me vend, por çështja është te planifikimi i rregullt, koha e përshtatshme, konteksti i një udhëtimi më shumë se argëtues, jo përherë në të njëjtat vende, etj.
Nëse nxënësve tanë nuk iu vijnë dhe aq përduarsh punë të tilla, kjo do të thotë se gjatë kohës së shkollimit ne nuk i përgatisim ata në këtë anë, iu mësojmë shkencat ekzakte, gjuhën, letërsinë, historinë e të tjerë, po jo dhe si të organizohen, si të bëjnë një veprimtari cilësore, etj. Nuk është fjala për t’i diktuar e kontrolluar, por për t’iu sugjeruar modelet e duhura bashkëkohore, që ata të mos bëhen padashur imitues të gjerave të rëndomta, shijeve provinciale, grimasave folklorike. Fare mirë në ndonjë nga detyrat mësimore, gjatë vitit shkollor, mund të ndërmerret diskutimi: Si mund të organizohet një mbrëmje mature? Ashtu siç iu kërkohet nxënësve që përmes projekteve të zgjidhin detyra që lidhen me organizimet e tjera, promovimin, komunikimin, etj.
Së fundi, ndokush mund të thotë: “Po pse të ngrihet ky problem tani që veprimtari të tilla kanë përfunduar në të gjithë vendin?” Puna është se mbrëmjet e maturës janë prapë në proces, vitin tjetër e në vazhdimësi. E, në një kuptim, mbase është më mirë që të meditohet tani, kur kemi ende të freskëta pamjet festive të maturës së sivjetshme, natyrisht jo për të qortuar atë që sapo është arkivuar, por për të kërkuar të tjera forma e mundësi. Në radhë të parë, nga vetë ata që nisin maturën këtë shtator…
Top Channel