Një gazetë italiane në pronësinë e ish-kryeministri Silvio Berlusconi krijoi polemika të mëdha, pasi publikoi një faqe të parë në të cilën ishte vendosur titulli “Rajhu i Katërt”, mbi foton e Kancelares Angela Merkel.
Imazhi i publikuar në faqen e parë të së përditshmes tregonte Kancelaren duke ngritur dorën e saj të djathtë në një përshëndetje, një gjest që të kujton përshëndetjen naziste.
Artikulli, i publikuar ditën e premte, ngjalli një luftë të zjarrtë fjalësh midis Italisë dhe Gjermanisë mbi mënyrën se si duhet administruar kriza aktuale e euros.
Në një shkrim të ri gjatë së hënës, e përditshmja kritikonte edhe një herë ashpër Kancelaren Merkel, duke thënë se “kokëfortësia e saj ka gjunjëzuar Europën”, ndërsa sugjerohej se “Italia nuk është më pjesë e Europës së bashkuar, por e Rajhut të katërt”.
Kritikat ndaj Gjermanisë vazhdonin edhe më tej, duke thënë se “pavarësisht dy Lufrave Botërore dhe dhjetëra milionë të vdekurve, kjo nuk është e mjaftueshme për të qetësuar egon e sëmurë gjermane”.
Kjo nuk është hera e parë që “Il Giornale” vendoset në qendër të polemikave, pasi e përditshmja vendosi një titull fyes ndaj Gjermanisë edhe pas fitores së Italisë në gjysmëfinalen e Euro 2012.
Sipas së përditshmes, e cila ka fituar kritika edhe të Berlinit zyrtar, shkrimet e saj janë një përgjigje ndaj shkrimeve fyese të mediave gjermane ndaj vendeve të Europës jugore dhe asaj juglindore.
Top Channel