Andrea Stefani – Propaganda e qeverisë po arrin nivele shantazhi duke thuajse urdhëruar opozitën që të votojë heqjen e imuniteteve më 6 gusht.
Kryeministri Berisha dhe altoparlantët e tij sokëllijnë: Nëse nuk votohet heqja e imuniteteve Shqipëria do humbasë shansin të marrë statusin e kandidatit të BE, nëse nuk voton heqjen e imuniteteve opozita do kryente një puç ndaj shtetit, po nuk votoi heqjen e imuniteteve opozita do demonstrojë se kërkon të mbrojë korrupsionin nga antikorrupsioni! Por pavarësisht kësaj propagande dhe presioni të egër duket se opozita nuk do ta votojë heqjen e imuniteteve më 6 gusht. Dhe arsyeja për këtë nuk është se dëshiron të pengojë po përkundrazi se dëshiron që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit. Opozita nuk do të votojë më 6 gusht, sepse synon që heqja e imuniteteve të mos i shërbejë gjuetisë së shtrigave që një pushtet i korruptuar po përgatit kundër opozitës, por luftës kundër megakorrupsionit të qeverisë.
Kryeministri Berisha shpërtheu një vullkan me gënjeshtra. Ai tha se heqja e imuniteteve më 6 gusht është kusht për marrjen e statusit të kandidatit. E vërteta është se për marrjen e këtij statusi Shqipëria (dhe në radhë të parë qeveria) duhet të përmbushë nja 12 rekomandime që kanë të bëjnë, ndër të tjera, me pavarësinë e pushteteve, me pavarësinë e pushtetit gjyqësor, me kthimin e pronave pronarëve, me krijimin e një administrate të depolitizuar, me luftimin e korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta të politikës e në radhë të parë, në radhët e qeverisë që është klasikisht burimi kryesor i korrupsionit. Dhe pengesa kryesore për përmbushjen e këtyre standardeve, të kërkuara edhe nga 12 rekomandimet, ka qenë dhe mbetet tendenca e fuqishme autokratike në kokë të pushtetit e mishëruar nga Kryeministri Berisha dhe klani i tij. Nëse korrupsioni nuk luftohet në nivele të larta të qeverisjes është për shkak të këtij autokratizmi që ka shtrirë kthetrat në gjyqësor duke penguar drejtësinë dhe duke i dhënë statusin e pandëshkueshmërisë vetë Kryeministrit dhe K°. Nëse kemi një administratë të politizuar, fajtor është vetëm dhe vetëm Kryeministri autokrat që u ka dhënë direktivë të vetëve për flakjen antiligjore të mijëra punonjësve publikë dhe mbushjen e administratës me militantë partiakë që nuk i binden ligjit, por vullnetit antiligj të pushtetit. Nëse prona pas dy dekadash nga rënia a komunizmit nuk është kthyer tek i zoti, kjo padrejtësi është bilanc i liderëve të tipit Berisha që kanë mbi dy dekada në krye të punëve të Shqipërisë. Por a do ta ndihmonte kufizimi i imuniteteve për deputetët dhe gjykatësit luftën kundër korrupsionit të madh qeveritar dhe bashkë me të edhe procesin e integrimit të Shqipërisë? Varet. Nëse kufizimi i imuniteteve bëhet me kujdes e shoqëruar edhe me një paketë ndryshimesh të Kushtetutës që i shërbejnë pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë, sigurisht që po. Por nëse kufizimi i imuniteteve bëhet me nxitim, i pamenduar duke respektuar jo qëllimin, që duhet të jetë forcimi i shtetit ligjor me anë të pavarësisë së pushteteve, por një datë absurde si 6 gushti e caktuar arbitrarisht nga Berisha, kufizimi i imuniteteve nuk do t’i shërbente aspak luftës kundër korrupsionit dhe integrimit të Shqipërisë me Europën. Përkundrazi, do t’i shërbente forcimit jo të shtetit ligjor, por të një shteti që nuk drejtohet nga vullneti i ligjit, por nga vullneti i “Maliqit” Kryeministër. Do t’i shërbente jo luftës kundër korrupsionit, por gjuetisë së shtrigave të një pushteti të superkorruptuar kundër opozitës dhe maskimit të korrupsionit qeveritar me “antikorrupsion”. Pra nuk do t’i shërbente as integrimit që antiperëndimorët në pushtet, e kanë “merak” kaq shumë këto ditë duke e përfolur si interes kombëtar.
Kohët kanë provuar se aty ku ka institucione të pavarura të shtetit ligjor të bashkëshoqëruara nga një vullnet politik, korrupsioni mund të luftohet me sukses edhe pa i kufizuar imunitetet. Por aty ku, si në Shqipëri, nuk ka të tilla institucione, korrupsioni nuk mund të luftohet edhe sikur të gjithë deputetët dhe gjyqtarët të zhvishen jo vetëm nga imunitetet, por edhe përtej imuniteteve. Në Shqipëri ka një numër rastesh kur, edhe pse pa imunitet, politikanë e të korruptuar në qeverinë “Berisha” kanë shpëtuar të pandëshkuar nga ligji. Sepse që të luftohet korrupsioni duhet në radhë të parë drejtësi. Pa drejtësi të pavarur edhe heqja e imunitetit do t’i shërbejë korrupsionit dhe jo antikorrupsionit, do jetë një proces i korruptuar që në nisje të tij, në qëllimin e tij. Prandaj themi se mosvotimi në 6 gusht i ultimatumit berishisto-metist për imunitetet, do të jetë një kontribut i opozitës për kauzën e shtetit ligjor, antikorrupsionit e vërtetë dhe integrimit të Shqipërisë në BE.
Top Channel