Mustafa Nano – Është e sigurt, tanimë: Socialistët nuk do të votojnë projektligjin për imunitetin të hënën, më datë 6 gusht.
Nuk ka kohë më që ata të kthejnë mendje. Ndërkohë, Berisha ia ka dalë deri në një farë mase (ia del gjithmonë, pasi ka mjete të forta të propagandës pas vetes) ta shndërrojë datën 6 gusht në një datë medemek historike për Shqipërinë, dhe nismën apo vullnetin për ta votuar këtë projektligj në një aksion medemek të madh politik. Në fakt, data 6 gusht (edhe sikur të votohej projektligji në fjalë) do të mbetej një datë banale në kalendarin politik të shqiptarëve, ndërsa miratimi i projektligjit (gjithmonë, nëse socialistët do të binin dakord ta votonin) do të ishte një nga aksionet më pak të vlefshme të politikës shqiptare. Ky ligj, në thelb, nuk do të ketë asnjë lloj rëndësie për Shqipërinë. Sigurisht, mua nuk më del nga mendja që BE-ja e ka në listën e kërkesave të veta miratimin e heqjes së imunitetit, dhe në këtë kuptim ligji e ka vetvetiu një farë rëndësie, por unë po flas për thelbin e gjërave. Dhe thelbi i gjithë kësaj historie është shumë i thjeshtë: me miratimin e këtij ligji ne do të kemi një ligj më shumë në letër, por impakti i këtij ligji do të jetë zero në praktikë. Zero me xhufkë.
Në Shqipëri nuk është regjistruar ndonjë rast kur imuniteti i ndonjë zyrtari t’i jetë bërë pengesë ndonjë procesi hetimor apo procesi gjykimi, në qendër të të cilit të ketë qenë ky zyrtar. Në terma praktikë pra nuk është imuniteti që na ka penguar të luftojmë korrupsionin e zyrtarëve. Na ka penguar impuniteti, thënë shqip me një saktësi të përafruar – pandëshkueshëmria, thënë edhe më shqip – pafuqia e paaftësia e sistemit të drejtësisë për të ndëshkuar njerëzit me ndikim e me pushtet. Kësaj ane ecte dhe Kim Mehmeti në një shkrim të tijin në “Shqipin” e djeshëm, ku fliste për Shqipëritë tona (me titull “Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit”), por pa e përmendur fjalën impunitet/pandëshkueshmëri. Kish veçuar një gjë që ndodhte në të gjitha Shqipëritë tona: “Në Shqipëritë tona përfundon në burg apo pezullohet nga puna çdo zyrtar që merr ryshfet 50 euro, por jo kryehajduti, që ia del të vjedhë 50 milionë euro. Në Shqipëritë tona dënohet me zbritje të pagës mujore çdo i punësuar në ndonjë ministri, i cili, për t’i plotësuar kushtet për marrjen e kredisë për të mbijetuar, merr vërtetim me shumën rrejshëm të rritur të pagës mujore, por jo edhe ai që i falsifikon librat e kadastrës, në të cilat pronën shoqërore e regjistron si të vetën dhe të të afërmve të tij. Në Shqipëritë tona ngrihet aktakuzë dhe hetohet ai që e shqetëson qenin e fqinjit të tij, por jo edhe ata për të cilët publikisht flitet se kanë vrarë kundërshtarët e tyre politikë. Dhe e tëra kjo ndodh ngaqë me burgosjen e atij që ka keqpërdorur 50 euro, mbulohet hajduti i 50 milionëve, ku para të huajve dëshmohet devotshmëria në luftën kundër korrupsionit….”
Ky pra është problemi ynë: Në Shqipëri (edhe në Shqipëritë tona) nuk ka burrë nëne që të hetojë, gjykojë apo dënojë njerëzit me pushtet, çfarëdo që të bëjnë këta të fundit. Kjo është arsyeja që socialistët nuk duan ta votojnë projektligjin mbi heqjen e imunitetit më datë 6 gusht? Jo, nuk është kjo arsyeja. Nuk është se socialistët nuk kanë ecur kësaj udhe në arsyetimet e tyre në tentativën për të justifikuar ‘jo’-në e tyre për këtë projektligj, por më së shumti kanë ecur në udhë të tjera. Argumentet e tyre kryesore kanë qenë dy: 1. E bëjmë që e bëjmë ndërhyrjen në Kushtetutë, le ta bëjmë atë edhe për ca probleme të tjera që na kanë dalë gjatë kohëve të fundit, dhe me këtë kanë parasysh, fjala vjen, zgjedhjen me 84 vota të Prokurorit të Përgjithshëm, a të ndonjë gjyqtari me rëndësi në sistemin tonë, a të shefit të SHISH-it, etj; dhe 2. Heqja e imunitetit do të shoqërohet me një gjueti shtrigash opozitare nga ana e pushtetit; me fjalë të tjera, ekziston frika në dukje e arsyeshme se, në rrethanat kur Berisha do të ketë në dorë dhe k/prokurorin e shefin e SHISH-it, deputetët opozitarë pa imunitet do të jenë një target i lehtë për t’u goditur.
Këtë të dytën, d.m.th këtë frikë të opozitës, që pak më sipër e quajta ‘në dukje të arsyeshme’, e shoh të tepërt, dhe esencialisht të paarsyeshme. Sipas meje, ka të drejtë Spartak Ngjela, kur thotë pak a shumë se Berisha don të heqë frikën e vet kur çirret kundër socialistëve që s’duan të heqin imunitetin; i pari dhe i fundit shqiptar që ka motiv t’mos e heqë imunitetin është ai vetë (ai vetë është i zhytur në krime; por dhe fëmijët e tij janë të nakatosur në boll punë të ndyra), dhe britmat e tij janë britma që synojnë një si ‘egzorcizim’ të vetes, më konkretisht, largimin e frikërave që e përndjekin. Afërmendsh, historia ka treguar se një njeri i trembur në pushtet s’e ka për gjë të adoptojë – si një mënyrë për të mbrojtur veten – politikën e dorës së fortë dhe të ndëshkimeve arbitrare të kundërshtarëve politikë (edhe me këtë do kishim një si ‘egzorçizim të vetvetes’), por një opozitë që aspiron të marrë në dorë fatet e vendit nuk i falet të jetojë me këtë shqetësim. Me këtë shqetësim duhet të jetojmë ne të shoqërisë civile, të medias etj., por jo opozita politike, e cila “ku ta gjejë që Berisha t’i futet kësaj aventure”, pasi kështu do heroizohej. E prandaj, socialistët e kanë kot me frikën që u ka hyrë në palcë (këtë dëshmojnë, në fakt). Kjo frikë i nxjerr ata në dritë si opozitë dhjakse, rrjedhimisht aspak frymëzuese.
Po e para? E para ha diskutim. Dhe kuptohet pse. Është logjike të thuash që, meqenëse po vëmë dorë në Kushtetutë e meqenëse kemi një tog papërsosmërish kushtetuese që janë vënë re në rrugë e sipër, le ta bëjmë këtë gjë njëherë e mirë e njëherësh për të gjitha yçklat që kanë dalë”. Në këtë kuptim, kjo logjikë mund të përdoret që ç’ke me të, ashtu siç mund të përdoret logjika tjetër që “në Shqipëri (po i mbahem gjetjes së Kim Mehmetit: në Shqipëritë tona) nuk ka qenë, nuk është, e nuk ka për të qenë (dhe për ca kohë) imuniteti, ai që i bëhet pengesë luftës kundër korrupsionit”.
Të vjen keq që opozita s’ka mundur t’i bindë diplomatët e eurokratët e BE-së mbi faktin, që “heqja e imunitetit si pika nr. 1 e axhendës nacionale është një sendërgjí e shpifur”, dhe mbi faktin tjetër që “ndërhyrja në Kushtetutë duhet bërë e plotë”. Do të ishte e padrejtë, dhe gati e pabesueshme, që opozita shqiptare të penalizohej në terma të imazhit te diplomacia ndërkombëtare, ngaqë ajo ka kërkuar shtyrjen për ca javë të diskutimit mbi imunitetin. Por do të ishte dhe për faj të saj.
Top Channel