Luga bosh e imuniteteve

04/08/2012 00:00

ARTAN LAME – Socialistët e kanë shpallur prej gati 10 ditësh se nuk do
të votojnë më 6 gusht për ndryshimin e Kushtetutës. Nga ana tjetër,
Berisha vazhdon me të vetën të deklarojë se do të votojë më 6 gusht. Se
me kë do të shkojë të votojë një zot e merr vesh, qëkurse kjo puna e
imuniteteve nuk bëhet pa qenë edhe socialistët dhe kështu seanca e 6
gushtit nuk ka kuptim hiç.

Në fakt merr kuptim, mjaft të kujtosh atë barsaletën që ka vite që thuhet për Saliun kur ishte i vogël dhe e dërguan në mal të gjente lopën që kishte humbur. Pastaj, meqë lopa u gjet, dolën dhe e thirrën Saliun, duke i thënë: “Kthehu se e gjetëm lopën!” Ndërsa ai nga mali përtej, u përgjigjej: “Jooo, jooo, pa kërkue edhe n’filan shpellë, që më ka shkue mendja, nuk kthej n’shpi!” Shkurt muhabeti, edhe pas 60 vjetësh ai është po ai i njëjti, s’ka ndryshuar hiç karakter, ndërsa ne presim ta ndryshojë letra e Fyles.

 
JURISTË E POPULISTË

Personalisht, meqenëse nuk kam imunitet, nuk fitoj gjë nga heqja e imuniteteve, ndaj nuk besoj të jem në konflikt interesi duke folur për këtë punë. Megjithëse kanë rënë dakord të majtë e të djathtë për këtë gjë, unë vetë e mendoj se heqja e imuniteteve është gjë jo e mirë. Arsyet janë thënë e stërthënë, në daç pse duhen hequr e në daç pse nuk duhen hequr imunitetet, ndaj nuk kam ndërmend të bëhem i mërzitshëm duke i rreshtuar këtu edhe një herë, por gjatë shtjellimit të tyre kam vënë re një gjë.

Përgjithësisht, ata që kanë mbrojtur imunitetet, kanë përdorur terma e argumente juridike, kanë bërë analiza të mirëfillta, bazuar në shkencën e jurisprudencës dhe në krahasimin me legjislacionet e huaja. Më të shumtit e tyre, në mos të gjithë, janë ose përfaqësues të shoqërisë civile, pra, njerëz që, meqenëse nuk preken direkt nga kjo punë, janë më të ftohtë e të paanshëm në gjykim; ose juristë të mirënjohur, të mirëbesuar e të sporovuar në zanatin e tyre. Ndërsa nga ana tjetër, heqja e imuniteteve, është mbrojtur nga vetë deputetët, në shumicën e rasteve asfare juristë dhe përgjithësisht me argumente të përciptë, emocionalë dhe të nginjur me fraza propagande.

Pas kësaj, pyetja e parë që vjen ndër mënd është: Po si bëhet kjo punë kështu, juristët që janë të zanatit dhe që nuk fitojnë gjë nga kjo punë, janë kundër; ndërsa deputetët, që e hanë nga heqja e imuniteteve, dalin pro?! Dhe, meqenëse politikanët e qeveritarët tanë, nuk është se janë dalluar ndonjëherë për shpirt sakrifice, duhet rrëmuar të gjejmë një arsye tjetër në këtë shpërthim të papritur vetëmohimi të tyre. Pa ndonjë mundim të madh, kushdo e ka të qartë tashmë, politikanët nuk i mbron imuniteti formal me letra, por të tjera gjëra, që nuk janë të shkruara nëpër kushtetutë e ligje. Deri më sot, asnjë prej radhës së stërgjatë të hajdutëve me imunitet, nuk i ka shpëtuar burgut, jo se ka letrën e imunitetit në xhep, por thjesht sepse ka qenë i rreshtuar në taborin e duhur. Le të provojnë të dalin nga ai rresht dhe do të shohin se s’ka imunitet e vaksinë në dynja që t’i shpëtojë nga zemërimi i komandantit të taborit.

Nga ana e tyre, besoj se socialistët e dinë kaq gjë, ndaj para ndonjë viti, me një akt publik, hoqën dorë nga mbrojtja imunitare. Ai akt ndofta s’kishte vlerë ligjore, por vlerë morale para njerëzve kishte boll. Pas atij momenti, asnjë deputet i tyre nuk mund të fshihej pas procedurave për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë po ta sillte puna.

U duk se puna e imuniteteve do të mbyllej me aq, por Berisha ia doli ta kthejë sërish në qendër të vëmendjes. Si gjithmonë, në luftërat që zhvillohen me argumente folklorikë e populistë, ai ia del të dalë i fituar. Imagjinoni socialistët, me letra në duar e argumente të stërholluara juridikë, duke u përpjekur të shpjegojnë që kjo puna e imuniteteve është lugë bosh; përballë një Berishe që do të mbyste ekranet duke thirrur për baronët e krimit që po fshihen pas imuniteteve, për miliarderët që fshehin çantat e parave prapa vaskave të florinjta, e plot broçkulla të tjera të tilla.

Populizmi është sëmundja më e keqe e shteteve dhe popujve, mendoni pastaj populizmi i përdorur nga një usta si Saliu dhe në kurriz të një popull si i yni. Ndoshta në aspektin ngushtësisht formal, socialistët nuk bënë mirë që e mbështetën heqjen e imuniteteve, por përballë një kundërshtari populist si Saliu ynë, rrugë tjetër s’kishte. Kanë thënë dikur për barbarët që sulmuan Romën: Ligjet e qytetërimit nuk kanë efekt mbi të egrit, ndërsa zakonet e të egërve janë vrastare për qytetërimin.

Të mos na bëjnë për budallenj, kushdo e ka të qartë tashmë se politikanët nuk i mbron imuniteti formal me letra, por të tjera gjëra, që nuk janë të shkruara nëpër kushtetutë e ligje.

Asnjë prej radhës së stërgjatë të hajdutëve me imunitet, nuk i ka shpëtuar burgut, jo  se ka letrën e imunitetit në xhep, por thjesht sepse ka qenë i rreshtuar në taborin e duhur.

 Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA