ILIR YZEIRI – Në qoftë se këtë verë Kadareja nuk do të kishte qenë i
pranishëm në faqet e shtypit periferik dhe atij qendror, ky do të ishte
një lajm, një befasi. Ndërkaq, prania e tij në të përditshmet shqiptare,
sidomos në këto ditë të nxehta, është vijim i rutinës së trashë e të
lëngët ku ngjyen buzët e zhuritura mediokriteti kolektiv shqiptar.
Çfarë ndodhi konkretisht? Një ditë të bukur, shtypi njoftoi se Kadareja kishte hedhur në gjyq të venë e diktatorit, znj. N. Hoxha dhe i kërkonte asaj që t’i rikthente dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Kaq ishte lajmi. Pas kësaj nisi të ndërtohej miti i verës së nxehtë e të thatë. Refuzimi që po i bënte e veja e diktatorit dorëzimit të dorëshkrimit duke u mbrojtur me një mit tjetër, atë të dhuratës, e shtyu për një farë kohe dilemën që do ta dorëzonte e veja e diktatorit dorëshkrimin, apo ajo do të nanurisej nëpër mëndafshin e zi të dhuratës. Më në fund dorëshkrimi u dorëzua në Arkivin Qendror të Shtetit. Ndërkohë disa gazeta periferike proqeveritare u kujtuan se Kadare ishte këtu, madje i pleksur me diktaturën, madje, madje i ngërthyer keq me të, aq keq sa e veja e diktatorit pretendon se dorëshkrimi i romanit të famshëm “Dimri i vetmisë së madhe” i është dhuruar asaj nga vetë shkrimtari. Nisin të zbulohen arkivat dhe gazetat periferike të regjimit zënë e botojnë shkrime të Kadaresë marrë nga gazeta “Drita” e viteve të diktaturës. Kjo duket se nuk i kënaq dhe ja, e gjejnë më në fund tekstin e tij për diktatorin, një ditë pasi ai ka vdekur. Dikush kujton nëpër rreshta se Kadare i ka bërë edhe një letër Lulzim Bashës dhe e ftonte të tërhiqej nga gara për kryetar bashkie. Ndaj dhe regjimi ka të drejtë që të ndërsejë langonjtë kundër tij, shfryn një tjetër. Gazetat periferike proqeveritare kanë një rast të artë t’i tregojnë Lulzim Bashës besnikëri. Mirëpo, si të mos mjaftonte e gjithë kjo, një tjetër gazetë periferike rimerr një argument tjetër: Kadare-Pipa dhe gjuha standarde. Nga gjithë kjo katrahurë mua më vjen ndërmend i ndjeri Hysni Milloshi, që me partinë e tij bëri aleancë me Berishën për Bashkinë e Tiranës. Njësoj si tani. E veja e diktatorit, në gjithë këtë histori, pra në ngjarjen me dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, ishte më e fituara. Në krah të saj ishin një pjesë e madhe e gazetave proqeveritare dhe periferike të Tiranës, deri edhe nëpunësit e rinj të Institutit të Krimeve të Komunizmit. Nexhmije Hoxha dhe nëpunësit e këtij instituti po na vërtetonin se Ismail Kadare është diktatura komuniste në Shqipëri. Gjithë kjo rropulli, për fat të mirë, shtillet në zona të errëta e në ferrat e vetëdijes së llumit të mediokritetit shqiptar, llum që, për fat të keq, ndonjëherë arrin të dalë edhe në rrugë të madhe. Dikush tjetër kujton se Kadare është çmuar më shumë në këto ditë të nxehta vere nga media e lirë serbe, për shkak të një interviste që ka dhënë për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, sesa nga shtypi i vendit të tij. Ja çfarë thotë për të në shënimin përpara intervistës, revista e njohur serbe “NIN”:
“Një nga më të mëdhenjtë shkrimtarë europianë, Ismail Kadare, flet për temat më delikate dhe ndarjet midis serbëve e shqiptarëve, mbi urrejtjen e zgjatur, zemërimin dhe mllefin, mbi miqësinë dhe moskuptimet me shkrimtarët serbë, mbi shtrembërimet e historisë, që e kapërcen dramën ballkanase, dhe për arsyen përse ishte dashur që Serbia të ishte e para që ta njihte Kosovën”. Si ka mundësi që në Shqipëri e veja e diktatorit dhe shtypi periferik proqeveritar janë në një mendje se Kadare është fytyra e diktaturës në Shqipëri? Ndoshta pse në Shqipëri ka më shumë serbë që nuk e duan Shqipërinë, sesa në Serbi. Ndoshta…
Dorëshkrimi si problem i intertekstit
Në kolokiumin e fundit që u mbajt në Paris në vitin 2009 kushtuar tërësisht Kadaresë, Bruno Clément, një personalitet i shquar i kulturës franceze, mbajti kumtesën “RÉÉCRIRE” (Rishkrimi). Aty ai shtjellon mjaft koncepte të intertekstit dhe e nis me idenë qendrore se një shkrimtar nuk është gjë tjetër vetëm se një rishkrimtar. Eskili rishkroi Homerin, Sofokliu rishkroi Eskilin, Euripidi, Sofokliun e kështu me radhë. Më të rrallë janë shkrimtarët që kanë shkruar dy versione të veprës së tyre. Dihet, vijon ai, se Molieri, i shtrënguar nga arsye politike, e ndryshoi veprën e tij dhe shkroi dy versione të Tartufit. Margeret Jursenar tregon se e ka shkruar dy herë “Kujtimet e Hadrienit”. Njihen gjithashtu shkrimtarë që pranojnë të publikojnë dy ose nganjëherë tri herë në versione të ndryshme të njëjtën vepër. Kështu ka vepruar Nerval me sonetet e tij apo Klodel. Hiçkok gjithashtu ka xhiruar dy herë shumë nga filmat e tij (“Njeriu që dinte tepër”). Beket përmendet si shkrimtari që i shkroi të gjitha veprat e tij në frëngjisht dhe në anglisht. Ndërsa rasti i Isamil Kadaresë, vazhdon Bruno Clement, është i veçantë. Kadare jo vetëm ndërthur të gjitha këto modele të rishkrimit, por ndërkaq ai e bën rishkrimin në vetvete një prej temave narrative e teorike thelbësore. Mjaft nga personazhet shkrimtarë që ai krijon, janë rishkrimtarë (Eskili i Kadaresë nuk rishkruan vetëm Homerin, ai i jep, gjithashtu, një formë të shkruari të padëgjuar më parë letërsisë gojore ballkanike). Më tej në këtë kumtesë ai merret posaçërisht me romanin “Dimri i madh” apo “Dimri i vetmisë së madhe”. Ai vëren me kënaqësi se ka shtënë në dorë dy versione të “Dimrit…” në frëngjisht. Njëri është ai i vitit 1978 (“Le grand hiver”, përkthyer nga Jusuf Vrioni, Paris, Fayard, 1978) dhe i dyti “L’Hiver de la grande solitude” (përkthyer nga Jusuf Vrioni, Paris, Fayard, 1999). Ky libër është shembulli brilant i rishkrimit, thotë Clement. Ai ndodhet në një moment kyç të karrierës së shkrimtarit dhe nuk ka dyshim se shqetësimet politike janë pleksur me ato artistike, historike, estetike. Për studiuesin francez ka rëndësi të shihet ky fenomen sidomos nga pikëpamja artistike dhe jo vetëm politike. Ai zbulon se filli politik përzihet me atë artistik gjatë procesit të rishkrimit. Aty e në vijim ai ankohet se nuk ka mundësi që të konsultojë dorëshkrimin origjinal. Më tej kumtesa e tij është një analizë e gjerë e kësaj dukurie te Kadare. Ai arrin në përfundimin se asnjë shkrimtar nuk mund të shkruajë pa qenë në morsën e shtrëngimit. (Bruno Clement, RÉÉCRIRE, Lecture d’Ismail Kadare, Presse universitaire de Paris –Ouest, 2011, f. 237-257). E nëse do të ktheheshim tek argumenti ynë i fillimit, debati për dorëshkrimin origjinal të romanit “Dimri i vetmisë së madhe” do të duhej të ishte që në fillim një debat i studiuesve të letërsisë dhe ata do të duhej të ngrinin zërin në mënyrë që ai të ishte në dorë të tyre për të hulumtuar problemet e rishkrimit ose të intertekstit. Në atë dorëshkrim ka shënime të bëra me dorë, ka fraza të prishura, ka versione të shumta të një fraze. Të gjitha këto janë një lëndë e paçmueshme për studiuesit në mënyrë që të vështrojnë aty morsën e shtrëngimeve të censurës, të autocensurës, të artit apo edhe për të parë se si punon e si e përtyp ngjarjen vetë vepra artistike. Një tjetër studiues i huaj, profesori Peter Morgan nga Australia, në librin e tij kushtuar Kadaresë me titull “Kadare-shkrimtari dhe diktatura”, ka qëmtuar me shumë skrupulozitet gjithë kalvarin e jetës së padukshme të shkrimtarit të madh. Në librin e tij “Autointervistë me vetveten”, Petro Marko rrëfen në një pjesë të madhe kalvarin e mundimeve për të publikuar veprat e tij dhe rishkrimet pafund që iu bënte atyre. Letërsia e Kadaresë, vështruar nga pikëpamja e intertekstit, është një model brilant për të vështruar se si shkrimtari shkruan kur është nën morsën apo nën darën që shtrëngon nënvetëdijen e shkrimtarit. Ndryshimi i scribit mediokër me shkrimtarin gjenial është se një shkrimtar gjenial shkruan vetëm kur është nën efektin e shtrëngimit të magjisë së artit. Akti i krijimit është si një proces torture, në të cilin shkrimtari jo vetëm vuan, por ngandonjëherë i duket vetja si më fatkeqi i botës pikërisht prej vetëdijes se ai di atë që nuk e dinë të tjerët dhe vuan deri sa ta shfaqë. Një shkrimtar me të tilla përmasa, siç janë gjenitë e shkrimit dhe siç është Ismail Kadare, është e vështirë që të vuajë nga morsa e shtrëngimit politik. Ata vuajnë vetëm nga një shtrëngim, ndiejnë dhimbjet vetëm të një torture. Kjo është tortura nën efektin e së cilës ata prodhojnë kryeveprat e tyre që nuk mund të shkruhen nga të vdekshmit e tjerë. Ndaj dorëshkrimi i romanit “Dimri i vetmisë së madhe” ka vlerë për ne studiuesit për të parë se si një gjeni si Kadare luan me diktatorin, sesi i vërtit personazhet e tij si lodra. Në atë dorëshkrim ne mund të zbulojmë lojën veçanërisht artistike dhe kalimin nga një regjistër rrëfimi në një tjetër për arsye që nuk mund të shpjegohen asnjëherë, sepse atë që shkruan e rishkruan një gjeni, mund ta interpretosh në një mijë e një mënyra… Më kujtohet një intervistë e filozofit dekonstruktivist Zhak Derrida që thotë për shkrimin pak a shumë kështu: Kur shkruaj nuk pyes fare, gjithë atë që dua ta them, e them. Nuk kam frikë se mund të preket ndokush, sepse dekonstruktivizmi shpesh bën të pakënaqur shumë njerëz. Mirëpo, sapo shtrihem dhe ashtu në gjysmë gjumë, më kap paniku dhe them “po ti je budalla, je i çmendur që shkruan ato gjëra, që sulmon ata njerëz”. Më kap, si të thuash, kompleksi i turpit të fëmijës lakuriq, për të cilin flet Frojdi. Sapo hap sytë, gjithë ky panik ikën. Kjo do të thotë se gjatë aktit të të shkruarit unë jam në gjendje të pavetëdijshme, ndërsa autocensura ose vetëdija më zgjohet kur unë jam në gjumë. Kështu ndodh me ata që e zotërojnë artin e të shkruarit. Kështu ndodh me Kadarenë.
Top Channel