Si ta njohësh Shën Librin

03/08/2012 00:00

MONIKA SHOSHORI STAFA – Një letër për adoleshentët shqiptarë – Unë e di
sa të vështirë e ke për të zgjedhur librin e duhur. Mësuesja të vë mbi
tavolinë “librin e listës” dhe do ta blesh se s’bën, sepse kjo është
pjesë e të merituarit të notës.

Në panaire, ku ke dëshirë të vesh, botuesit të grishin me shpallje të mëdha që të blesh një “libër të modës”, bestseller, më të lexuarin. Mjedisi i moshës tënde të kujton se tani ti je “adole”, një shkurtim i fjalës “adoleshent”, dhe duhet të blesh nga ata librat e të rriturve: ka ardhur koha ta lësh në një kënd diku si kujtim të të shkuarës “Twilight”, me të cilin je mburrur herë pas here. Ah, këta të rriturit! Edhe prindërit e tu janë si gjithë të rriturit. Ata duan vetëm libra seriozë, duan madje të të kontrollojnë se çfarë lexon. Sidomos revistat. “Hanna Montana” ka nisur të dalë edhe shqip. “Rebelde Way” nuk është edukativ. Ato të ilustruarat kanë edhe foto që duhen censuruar! Ti duhet të lexosh disa libra klasikë. Ky është përfundimi i prindërve të tu. Dhe ndërkaq me vete mendon: Pse, çfarë jam unë, një “geek”?

Cila mund të jetë zgjedhja jote midis gjithë këtyre detyrimeve e këshillimeve?

Sa e lehtë do të kishte qenë sikur këshilluesi i përjavshëm i librit më të mirë që i duhet bibliotekës tënde të kishte qenë një personalitet me shije të qëndrueshme, të verifikuar, që mund t’i zije besë pa ngurruar. Për shembull, sikur “librin e vitrinës” të ta rekomandonte në çdo fundjavë një shkrimtar si Dritëro Agolli. Unë dua të blej atë libër që zgjedh për bibliotekën e vet Dritëroi. Jo atë që sjell në vitrinë botuesi, jo atë që sjell në vitrinë miku i autorit. Të zgjedhësh është një prej gjërave më të vështira. Sidomos tani, që botohen mesatarisht 30 libra në javë, duke llogaritur vetëm botimet në Tiranë. Dikur ishte më e lehtë. Dy-tre autorët më të njohur nuk kishin nevojë të rekomandoheshin. Pastaj vinte letërsia e përkthyer, e cila gjithashtu zgjidhej pa këshilltar. Për pjesën tjetër bënte punën e vet kritika. Tani kritikën e bëjnë gazetarët më të nënçmuar të shtypit, gazetarët e kulturës, të cilëve u hapet një kuti cigaresh vend nëse tepron. Kritika ka vdekur dhe vendin e saj e ka zënë vitrina. Vitrinën e mbush ai që ka para, ai që ka porosi, ai që ka ndikim, ai që ka një mik. Shpesh libri i vitrinës është më i dyshimti dhe më i komprometuari prej të gjithëve. Sepse është shërbyer në vitrinë pikërisht për t’u shitur, si një mall, si një reklamë.

Kjo çoroditje të ka çuar te “letërsia multimediale”, te letërsia televizive. E ç’të duhen këshillat e të tjerëve? Mund të navigosh vetë në rrjetet e librit të numerizuar, “eBook”, mund të gjesh botimet më të reja, në anglisht patjetër; dhe me këto libra mund të mbushësh kohën tënde duke ndenjur para miniekranit. Nëse nuk të pëlqen, zgjedh përsëri. As të bëhet vonë fare se rreth e qark të flasin për një shenjt të paqenë, Shën Librin. Ende me kohën e Shën Librit? Po ju atëherë vetëm librin kishit, dhe gjashtë orë program televiziv shqip. Doemos që libri do të ishte monument. Kurse sot unë zgjedh librin ose alter-librin; domethënë librin e ekranizuar, librin e ilustruar, librin që mund ta zmadhosh e zvogëlosh si të duash!

Shumë e ndërlikuar e gjitha kjo. Rrugën më të shkurtër e ke gjetur, mirëpo një ditë të rastis të dëgjosh për “Lulet e mollës”, “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje”, “Sonata e Kreutzer”-it, “Bel Ami”-në, “Tre shokët”, “Lamtumirë armë”, “Plakun dhe detin”, “Studentin në shtëpi”, “Yllin e zemrës”, “E madhe gjëmë e mëkatit”, “Tunelin”, “Baladën për një grua” dhe “Trandafilin në gotë”, “Gjeneralin …”, “Mëhallat e botës”, “Urën mbi Drin”, “Të huajin”, dhe të duket vetja se nuk je më në mjedisin tënd. Të ndodh që moshatari yt thotë: “Mbetëm duke pritur Godonë” dhe ti e pyet me naivitet: “Ç’do Godua këtu?” Të ndodh që shoku yt i bankës bën një shaka duke perifrazuar Joyse-in: “Po sillemi në Tiranë si Uliksi në Dublin” dhe ti ia kthen serbes-serbes, krejt i sigurt se je i saktë: “E ç’do Uliksi në Dublin?”. Të ndodh që mësuesja të tërheq vëmendjen duke evokuar titullin e romanit të Hemingway-it: “Ju e keni të qartë se për kë bien kambanat” dhe ti ia kthen qetë-qetë: “Për të krishterët, mësuese!”.

Atëherë e kupton se, midis librit të listës, librit të modës, librit më të lexuar (bestseller), librit të vitrinës, librit të prindërve, je në pamundësi për të zgjedhur atë që duhet. Por doemos duhet të gjesh një zgjidhje. Kjo zgjidhje quhet “kryevepër”. Ti mund të bësh kompromise me të gjithë rekomanduesit, sa më pak aq më mirë, por shija jote duhet të jetë e orientuar te kryeveprat. Ndryshe nesër nuk do të jesh një qenie intelektuale. Duhet të çmendesh prej letërsisë si Don Kishoti, të mendosh për fatin e botës si Hamleti, të filozofosh për kuptimin e jetës dhe të përjetësisë si Fausti, të vësh mendjen në veprim për origjinën e krimit si Dostojevski, të qeshësh me fatin e një perandorie të madhe si Shvejku, të tronditesh për pafuqinë e individit bashkë me Merceau-në, të armiqësohesh me provincializmin bashkë me Katrina Blum-in; të trishtohesh me trishtimin e Isabelle Aliende-s; të dashurosh e të vuash me fuqinë e djaloshit Verter dhe të urresh e të hakmerresh me pamëshirën e Edmond Dantes-it.

Një filozofi klasik gjerman i kërkuan të hartonte një listë me dhjetë librat më të mirë. Ai hartoi një përgjigje, por më parë shpjegoi: Ju nuk më keni kërkuar dhjetë librat më të bukur, por dhjetë librat më të mirë. Ju nuk më keni kërkuar dhjetë kryevepra artistike, por dhjetë librat më të dobishëm. Prandaj kjo listë imja mund të mos ju kënaqë. Kështu ndodh dhe me ju sot. Ju rekomandojnë librin më të dobishëm për mësuesen, më të leverdishëm për autorin dhe për gazetarin e vitrinës, më të rehatshëm për prindërit që nuk duan telashe, por askush prej tyre nuk ju thotë: “Zgjidhni kryeveprën!”. Por ti mund ta bësh vetë këtë. Ti ke brenda vetes një shqisë që nuk e ke zbuluar ende: shijen e së bukurës, që vjen prej leximit. Është koha ta zgjosh dhe të kalosh indiferent para trysnive, sidomos para atyre publicitare, sepse shpeshherë librin më të bukur mund ta gjesh në trotuar, gati-gati të harruar, sepse askush s’ka para për të që ta nxjerrë në një ekran. “Atëherë ti je njeri, dhe kjo është më e mira!”, do të thoshte Kiplingu në poezinë “If!”. Meqë ra fjala, një kryevepër që është përkthyer shqip më shumë se pesë herë. Por lexoni mjeshtrin, Nolin, me titullin “Në mundsh”.

 

Quiz-i i numrit

Përgjigjuni saktë pyetjeve:

 

1. “Në kërkim të kohës së humbur” është:

Roman i Marsel Prust

Dramë e Samuel Beket

Artikull i “Neë York Times”

 

2. “Ura mbi Drin” është

Novelë e Ismail Kadaresë

Roman i Ivo Andriq

Poemë e Petar Negosh

 

3. “Letra Olgës” është

Vepër e Migjenit

Letërkëmbim i Havelit

Poezi e Janis Ricos

 

4. “I huaji” është

Vepër realiste

Vepër postmoderniste

Vepër ekzistencialiste

 

5. Psikanalizën në letërsi e zhvilloi teorikisht:

Ernest Koliqi

Sigmund Freud

Lev Tolstoi

 

6. Romani i parë shqip është

“Lulja e kujtimit”

“Shkodra e rrethueme”

“Sikur t’isha djalë”

 

7. Ka fituar çmimin “Nobel” me një poezi:

Paul Eloire

Milan Kundera

Rudiar Kipling

 

8. “Zhurma e erërave të dikurshme” është vepër e ndaluar e:

Dhimitër Xhuvanit

Dritëro Agollit

Xhevahir Spahiut

 

9. Luljeta Leshanaku është poete e:

Realizmit socialist

Letërsisë më të re

Disidente

 

10. “Promemoria” mendohet se është shkruar nga:

Jakov Xoxa

Kasem Trebeshina

Pjetër Arbnori

 

Si të verifikoni lidhjen tuaj me leximin:

Përgjigjja e saktë është e vlerësuar me 5 pikë.

Verifikoni vlerësimin tuaj me atë të shokëve dhe prisni vlerësimin e fundmë në numrin e ardhshëm.

Nëse keni mbledhur mbi 40 pikë – jeni në rrugë të mbarë.

Nëse keni mbledhur mbi 30 pikë – mirë, por duhet të këshilloheni.

Nëse keni mbledhur më pak se 30 pikë: ka diçka të rëndësishme për të rishikuar në punën tuaj me librin.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA