“Portokalli”, qesh Saranda

03/08/2012 00:00

Rreth 11 mijë spektatorë në Sarandë kanë mbushur shëtitoren kryesore për të ndjekur spektaklin “Vere dhe Portokalle”.

Trupa e “Portokallisë” solli në skenën verore rreth 20 numra, shumë muzikë dhe improvizime të çastit për rreth 2 orë e 15 minuta mbrëmjen e së enjtes.Qytetarë të Sarandës dhe pushues të mbërritur nga i gjithë vendi e kanë ndjekur me interes të veçantë shfaqjen, ku shumica e tyre flasin për emocione të ndryshme dhe te forta teksa përballen me aktorët e tyre të preferuar në një shfaqje ‘live’.

“Ne kemi patur shumë aktivitete artistike, por humori që na dhurojnë këta njerëz është i jashtëzakonshëm”, thotë kryetari i Bashkisë, Stefan Çipa.

Saranda, thonë aktorët, është stacioni i katërt i kësaj verë dhe ishte takimi më emocionues me publikun.

“Ishte shfaqja jonë e katërt. Kemi organizuar koncerte në Lushnjë, Vlorë, Himarë dhe tani në Sarandë. Këtu ishte një atmosferë e veçantë sepse kishte shumë spektatorë në shëtitore, madje edhe në det”, thotë prezantuesi, Salsano Rrapi.

“Humori që përcjellin të gjithë aktorët është shumë i dëshiruar nga gjithë publiku dhe është një nismë shumë e mirë, sidomos për ata që nuk kanë mundësi ta shohin direkt në skenën e Tiranës”, thotë Florian Binaj, aktor.

Gazmend Paja, aktor i trupës, njëherazi organizator i spektaklit thotë se shëtitja e trupës së “Portokallisë” në disa qytete ka qenë e rëndësishme, jo vetem per publikun, por edhe ata vete.

“Ne kemi dhënë maksimumin në të gjitha qytetet. Shfaqja e Sarandës pati 11 mijë vetë në shesh, Saranda si asnjëherë e mbushur kaq plot, as politikanët nuk e kanë arritur këtë që arriti “Portokallia”. Kjo na kënaq pa masë, sepse na bën të ndihemi më mirë kur jemi më afër publikut”, thotë Paja.

“Verë dhe Portokalle” u mbështet nga Bashkia e Sarandës dhe një numër biznesesh. Spektakli kishte repertor të përshtatur me qytetin jugor dhe prodhoi humor shpërthyes në rastet, kur aktorët përfshinë edhe publikun në numrat e tyre. “Portokallia” verore pritet të vazhdojë udhëtimin gjatë muajit gusht edhe në disa qytete të tjera.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta