Një ushtarak është dërguar si i pandehur në gjykatën penale nga prokurori Petrit Bica, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi sipas organit të akuzës i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 15 milionë e 718 mijë lekësh.
Sipas prokurorit Bica, shtetasi Olsi Kërpi, 34 vjeç, me gradën nënoficer në forcat e armatosura, me detyrë në kompaninë e zbulimit në repartin numër 1004 në Zall Herr, është kallëzuar nga gjenerali Viktor Berdo.
Në kërkesën për gjykim thuhet se, nga inventari i kryer në depon e repartit të zbulimit është konsatuar mungesa e sasive të mëdha të fishekëve, ndërsa ishte detyrë e 34-vjeçarit që të ruante armatimin.
Konkretisht, nga inventari i kryer rezulton se mungonin 14 mijë fishekë model “55” për pistoletë, si dhe 23 mijë e 415 fishekë model “56” për automatik. Të dyja kategoritë e fishekëve sipas prokurorit janë të kalibrit 7.62 mm.
Gjatë marrjes në pyetje të të pandehurit, ai ka thënë se sasitë e konsiderushme të fishekëvë nuk mungojnë për ndonjë arsye të dyshimtë, por sepse për negzlizhencë të tij, në kohën që ushtarakët tërhiqnin fishekë për të kryer qitjet, ai nuk i ka rregjistruar.
Ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje të drejtuesve ushtarakë në këtë repart, ata kanë saktësuar se në Zall Herr janë 84 efektivë që kryejnë qitje, të detyruar sipas rregullave dhe kushteve ushtarake.
Top Channel