Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca kontestoi legjitimitetin kushtetues të presidentes Atifete Jahjaga lidhur me ftesen qe ajo i bëri baroneshes Catherine Ashton per zgjatjen e mandatit të “Eulex”-it.
Neni 20 i Kushtetutës të cilit i është referuar presidentja, sipas Konjufcës nuk ka të bëjë fare me kompetencat e saj, por me të Kuvendit të Kosovës.
“Ky nen i referohet Kuvendit si institucion që ratifikon marrëveshje të caktuara ku vendoset që shteti i Kosovës do të delegojë një pjesë të kompetencave të tij shtetërore organizatave ndërkombëtare. Presidenti, si person institucional, përsa kohë neni i dytë përcakton se marrëveshja duhet të miratohet me 2/3 e votave të deputetëve, nuk ka asnjë kompetencë”, deklaroi Konjufca.
Neni 20–të në fakt nuk përmend fare institucionin e presidentes sa i përket të drejtës për të deleguar kompetenca shtetërore organizatave ndërkombëtare. Aty shkruan thjesht “Republika e Kosovës”, duke sqaruar më poshtë rolin e Kuvendit kur vjen puna te ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Konjufca kritikoi presidenten Jahjaga se duke anashkaluar Kuvendin në këtë çështje po e shkel mandatin e presidentit sepse nuk po e garanton funksionimin e rendit kushtetues.
“Mendoj që nëse ky problem zgjidhet duke anashkaluar Kuvendin e Republikës së Kosovës me një marrëdhënie mes Ashton dhe Jahjaga, do të ishte një marrëveshje antikushtetuese e lidhur pa bërë në kushtetutë dhe për më tepër edhe e dëmshme”, tha Konjufca.
Kuvendi i Kosovës pritet t’i fillojë punimet në muajin shtator. Ndërsa këmbimi i letrave mes presidentes së Kosovës dhe baroneshës Ashton ka nisur, madje Jahjaga pritet ta firmosë letrën e saj në Shqipëri, ku ndodhet me pushime.
Top Channel