Atletja shqiptare, Klodjana Shala tërhiqet nga Lojrat Olimpike të Londrës. Lajmin e konfirmon për Top Channel, mjeku i ekipit olimpik, Mel Ostreni, sipas të cilit dëmtimi i vjetër i saj e bën të pamundur garimin në 200 metra.
“Është e vërtetë ka një dëmtim i cili është një dëmtim i vjetër që herë pas here i rishfaqet. Iu rishfaq në stërvitje, iu bënë të gjitha ekzaminimet në fshatin Olimpik nga mjekë anglezë, e shoqërova edhe unë. Iu bë dhe rezonanca magnetike me disa mënyra që ne nuk i bëjmë dot në Tiranë, kështu që rezultoi e dëmtuar. Menjëherë pas kësaj të nesërmen u gëdhi me temperaturë dhe në këto kushte vendosëm që ajo të mos marrë pjesë në garë”, tha mjeku Mel Ostreni.
Ndërkohë rreth skandalit të dopingut me peshngritësin Pulaku, mjeku Ostreni ka hedhur poshtë pretendimit e Sekretarit të Federatës së Peshëngritjes, Ilir Kraja.
“Nuk është e vërtetë që qëndra dhe komisioni anti-doping në Tiranë nuk vepron. Vepron, por njësia kohore që mbështetemi ne në Tiranë jashtë gare është e tillë që brenda 20-30 ditëve të jepet rezultati. Sportisti në fjalë nuk ka qenë fare në Tiranë dhe ka ardhur tre ditët e fundit. Në momentin që erdhi ia morëm analizat. Nuk e ka fajin komiteti por e ka fajin Federata e Peshëngritjes. Federata në qoftë se do grumbullonte ekipin nuk dihet ta linte njërin në Amerikë, njërin në Bullgari dhe tjetrin në Greqi, por duhet t’i grumbullonte të gjithë bashkë. Pulaku nuk ka qenë prezent dhe ka munguar në dy kontrolle që janë zhvilluar në Tiranë me justifikimin që ka qenë në Kaliforni. Ne i sugjeruam Federatës së Peshëngritjes që të kontaktonte me sportisitn dhe të paraqitej në Los Angeles, ku është qëndra e antidopingut për Kaliforninë, dhe ta bënte atje kontrollin, gjë që se bënë”, tha Ostreni.
Top Channel