Katër aktiviste gjysmënudo të grupit ukrainas të të drejtave të femrave “Femen” u arrestua ditën e enjte, pas mbajtjes së një proteste të paautorizuar në Londër.
Policia mbërriti përpara bashkisë së Londrës, duke shpërndarë manifestueset, të cilat shprehën në mënyrën e tyre irritimin ndaj Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, për mbështetjen sipas tyre të vendeve muslimane që nëpërkëmbin të drejtat e gjinisë së tyre.
Komiteti Olimpik u tërhoq më parë nga kërkesa për të zbuluar gratë e mbuluara me ferexhe në disa disiplina ku konsiderohej si e pamundur ose e rrezikshme garimi i mbuluar, si xhudoja, pasi vendet arabe kërcënuan se do të tërhiqnin atletet e tyre.
Fotografitë treguan momente kur policët u detyruan të përdornin dhunë, për të vendosur nën kontroll demonstrueset që i rezistuan arrestimit.
I njëjti grup për të drejtat e femrave është bërë i njohur për protestat e tij të shumta të zhveshura, në misionin e mbrojtjes së të drejtave të gjinisë së tyre.
Për herë të fundit, “Femen” zgjodhi këtë rrugë gjatë Europianit të Polonisë dhe Ukrainës, kur shprehu duke u zhveshur kundër autoriteteve ukrainase, që sipas tyre toleronin shfrytëzimin e prostitucionit në vend.
Top Channel