Begaj: Nuk ishte dita ime më e mirë

02/08/2012 23:37

Peshngritësja shqiptare Romela Begaj flet per herë të parë për garën në Londër 2012 ku ajo u rendit në vendin e 11-të dhe nuk arriti objektivin kryesor, zonën e medaljeve.

“Për mua ishte një ditë e keqe nuk kishte në radhë të parë shans. E dyta, ishin edhe shumë faktorë të tjerë që nuk arrita ato rezultate që kam bërë, kam qenë dy kile sipër rekordit olimpik. Kam luftuar për këtë garë, jam lodhur, kam derdhur djersë por kështu ishte fati. Megjithatë nuk jam e zhgënjyer unë dola e 11-ta, nuk mund ta hedh poshtë punën time”, tha Begaj.

Përsa i përket rastit Pulaku, Romela pohon se faji është i të gjithë institicioneve përgjegjëse për sportin shqiptar. Frika e saj më e madhe është dënimi i saj apo i një sportisti tjetër për shkak të Pulakut.

“Për mua është gjë shumë e keqe, unë rrezikoj, rrezikon dikush tjetër në të ardhmen për një dënim më të madh. Është shumë e keqe sepse unë punoj, ushqehem dhe mbaj familjen me këtë punë. Unë nuk kam pse dënohem nga dikush, unë mbaj përgjegjësi për veten time ashtu si duhet të mbajë secili përgjegjësi për veten e vet. Faji tek ne mbetet jetim cdo institucion ka përgjegjësitë e veta nga më i madhi deri tek më i vogli, nëse nuk ata nuk mbajnë përgjegjësi për ne atëherë kush do mbajë përgjegjësi, sportisti?! Sportisti mund të bëjë cdo gjë nëse t’i nuk e kontrollon atëhere ai nuk ka faj”, theksoi Begaj.

Nënkampionia e Europës kërkon në këtë moment më shumë se kurrë mbështetjen e shqiptarëve, pasi ajo do të vazhdojë të punojë fort për aktivitetet e tjera ndërkombëtare përfshi këtu edhe Lojrat Olimpike “Brazil 2016”.

“Unë do vazhdoj punën time, në cdo kompeticion të jap maksimumin. Sportistët duhen mbështetur edhe në ditë të tilla, jo vetëm kur fitojnë”, tha Begaj.

Top Channel