“Suksesi në Olimpiadë, vetëm falë liderit tonë”

01/08/2012 17:20

Pa pasur nevojë për propagandë, Korea e Veriut ka lënë pothuajse të gjithë “armiqtë” e saj perëndimorë pas, të paktën në pesë ditët e para të Lojrave Olimpike të Londrës.

Ekipi olimpik koreanoverior aktualisht pozicionohet në vendin e pestë, pas disa rezultatave të shkëlqyera, që kanë lejuar atletët e vendit më të izoluar në botë që të fitojnë tre medalje të arta dhe një të bronxtë.

Kina kryesuese, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Korea e Jugut janë të vetmit që kanë bërë një paraqitje më të mirë deri tani, ndërsa skuadra e vendit komunist me 25 mln banorë lë pas shtete të mëdha dhe të zhvilluara si Rusia, Gjermania, Italia, Brazili apo India, një vend me 1,2 miliardë shtetas.

Kim Un Guk, i cili fitoi një medalje të artë duke vendosur një rekord botëror në peshëngritje për meshkuj, në peshën 62 kilogram, gjithsesi pati një dedikim të veçantë për suksesin. “Fitova vendin e parë për shkak të mençurisë dhe shkëlqimin që komandanti ynë suprem, Kim Jong-un, më transmetoi. Ai më dha fuqinë dhe kurajon e tij”.

Ndërkohë, media shtetërore e Koresë së Veriut nuk ka vonuar ta shndërrojë ecurinë e mirë të deritanishme në një luftë propagandistike kundër perëndimit.

Në një raportim të Agjensisë Shtetërore të Lajmeve “KCNA”, shkruhej: “Mediat e djallëzuara imperialiste sugjeruan se vendi ynë nuk do të merrte dot më shumë se ndonjë medalje të argjentë, por rezultatet e mira të sportistëve tanë janë një goditje ndaj këtyre pretendimeve absurde, në të njëjtën kohë dhe një shenjë e progresit e sakrificave të popullit koreanoverior”.

Megjithatë, përtej propagandës zyrtare, sportistët koreanoverirë duket se po hyjnë në historinë e kësaj Olimpiade dhe për qëndrimin e tyre tejet miqësor.

Pas humbjes së ekipit të futbollit të femrave ndaj rivaleve amerikane me rezultatatin 1-0, të dy skuadrat kaluan orë të tëra në hotelin ku qëndronin, duke bashkëbiseduar dhe duke luajtur ping-pong, diçka që tërhoqi edhe më shumë se vetë ndeshja vëmendjen e mediave në SHBA, ndonëse siç mund të parashikohej, miqësia e papritur me përfaqësueset e vendit më të “përçmuar” të botës nuk u përcoll në mediat koreanoveriore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA