Notarja kineze Ye Shiwen tronditi botën e notit dhe Lojrat Olimpike më parë gjatë javës, kur vendosi një rekord botëror në 4×100 metra stil i përzjer, rekord i konsideruar i pamundur edhe sepse 16-vjeçarja notoi në disa pjesë të garës më shpejt se kampioni i meshkujve ne te njejtin stil, amerikani Lochte.
Përballë akuzave për doping, Shiwen mohoi gjithçka kategorikisht, ndërsa testimet gjithashtu nuk treguan asnjë gjurmë të ndonjë substance të ndaluar në trupin e saj.
Si rrjedhojë, kanë nisur duke qarkulluar zërat e parë se Kina mund të jetë duke bërë diçka shumë më shqetësuese se dopingu, duke udhëhequr mutacione gjenetike, në gjendje që të përmirësojnë rendimentin e atletëve të ndryshëm.
Sugjerimi i pabesueshëm erdhi nga një ekspert, i cili theksoi se nuk do të ishte aspak i befasuar nëse Londër 2012 do të hyjë në histori si Olimpiada e parë ku ndryshimet gjenetike lejojnë atletët të formojnë më shumë muskuj dhe të mbajnë më shumë oksigjen në gjakun e tyre.
Ted Friedmann, kryetari i panelit të gjenetikës në Agjensinë Botërore Anti-Doping (WADA), deklaroi se kjo është një mundësi reale. “Nuk do të habitesha aspak nëse disa atletë mund të përdorin në mënyrë të fshehtë gjene të modifikuara për të rritur performancën e tyre. Nga ana jonë, është shumë e rëndësishme që të zhvillojmë një teknologji sa më të mirë për të dalluar “dopingun” gjenetik”.
Por, a mund të funksionojë me të vërtetë një terapi gjenesh për të përmirësuar paraqitjet olimpike?
Eksperimentet laboratorike thonë që po. Në vitin 2005, Ronald Evans, një ekspert hormonesh në një institut biologjik në Kaliforni, tregoi se modifikimi gjenetik ka treguar se është në gjendje që të rrisë fuqinë atletike të një miu.
Top Channel