Phelps: Pas Olimpiadës nuk futem më në ujë

31/07/2012 18:00

Michael Phelps po pret me padurim tërheqjen e tij nga garat e notit në mënyrë që të mos jetë më i detyruar të futet në ujë.

Amerikani 27-vjeçar, i cili ka nisur sportin që në moshën 7-vjeçare, tha për CNN se Lojërat Olimpike “Londër 2012” do të jenë të fundit për të.

Phleps, i cili ka fituar 6 medalje ari në “Athinë 2004” dhe 8 medalje ari në “Pekin 2008”, është stërvitur çdo ditë për pesë vite me radhë në një pikë të karrierës së tij të mrekullueshme dhe kjo gjë me siguri i ka ardhur në majë të hundës.

“Kam kaluar kaq shumë kohë në ujë sa kur të tërhiqem do të shkoj në plazh e thjesht do të rri në diell. Nuk kam ndërmend të futem në ujë për të notuar”, tha Phelps.

Phelps ka grumbulluar gjithsej 17 medalje olimpike dhe është vetëm dy medalje larg që të thyejë rekordin si sportisti me më shumë medalje në histori. Edhe pse kaq shumë i suksesshëm në sportin që praktikon, 27-vjeçari ende ka një idhull nga  cili frymëzohet, ish-basketbollistin amerikan Michael Jordan.

“E adhuroj sepse ai e ndryshoi basketbollin i vetëm. Më pëlqente sepse nuk përdorte justifikime. Në çdo ndeshje jepte maksimumin edhe pse mund të ishte i dëmtuar apo mund të kishte probleme personale. Një kampion i madh nuk duhet të mendojë për gjëra të tjera kur është duke bërë punën e tij”, deklaron notari, i cili në “Londër 2012” ka fituar deri tani vetëm një medalje të argjendtë si pjesë e ekipit amerikan të stafetës 4×100.

Top Channel