Logjika e vjetër e partive të reja

31/07/2012 00:00

Andrea Stefani – Dalja në skenën politike e partive të reja politike si Aleanca Kuqezi
(AK) apo Fryma e Re Demokratike (FRD) është një dukuri shpresëdhënëse.

Akoma më shumë shfaqet e tillë po të mbajmë parasysh se ndryshimi i formulës zgjedhore në vitin 2008, jo vetëm e ka bërë të vështirë ekzistencën e partive të vogla, por e ka shndërruar në një sfidë të vërtetë lindjen dhe mbijetesën e partive të reja. Por optimizmi nis e zbehet kur shqyrton me kujdes jo vetëm disa slogane që shpallin, por edhe disa taktika që premtojnë të ndjekin këto parti. Problemi është se këto slogane dhe taktika shfaqen, në disa raste, të ndërtuara jo mbi ndonjë “frymë të re” e aq më pak mbi realizmin por, për fat të keq, mbi themelin e një logjike arkaike dhe mbi të gjitha, mbi modelin e një antagonizmi fals, tipik për liderët dhe partitë e vjetra.

***

E përbashkëta që bie në sy në deklarimet e liderëve të AK dhe FRD, është refuzimi antagonist për të bashkëpunuar madje edhe për të hyrë në koalicione zgjedhore me partinë më të madhe të opozitës, si dhe vënia e sforcuar e shenjës së barazimit mes PS dhe PD, Ramës dhe Berishës. “Fryma e Re Demokratike deklaron se koalicioni i saj do të jetë vetëm me qytetarët shqiptarë në funksion të ndërtimit të shtetit të së drejtës…Në këtë qëllim të madh FRD-ja nuk do të bëjë asnjë koalicion me zotin Berisha dhe me zotin Rama”, thuhet në një deklaratë të FRD. Nuk është vështirë të konstatosh jo pak dozë demagogjie dhe populizmi që përafron me parullën e Lulzim Bashës “qytetarët janë të parët”. Thuajse në një linjë shfaqet edhe kreu i AK, Kreshnik Spahiu kur ofertës së PS për një koalicion të mundshëm iu përgjigj: “Deklarata e Edi Ramës është bërë në kushtet e drithërimave që kanë kapur socialistët dhe demokratët nga mbështetja popullore që po fiton Aleanca Kuqezi. Ne refuzojmë çdo lloj koalicioni të mundshëm dhe nuk pranojmë në gjirin tonë as PD-në dhe as PS-në”. Nuk është vështirë të qëmtosh në këtë deklaratë doza megalomanie dhe arrogance si bashkëshoqëruese të një mungese realizmi. AK është një parti që ka hyrë me shumë energji dhe entuziazëm në arenën politike, por ajo është ende tepër larg atij dominimi, vërtet të dëshirueshëm, që mund t’u fusë dridhmat dy partive më të mëdha. Dy dekada kanë provuar se PS dhe PD janë parti me pjesë të konsiderueshme të elektoratit të kalcifikuara rreth tyre. Lidershipet e tyre kanë manifestuar sa të duash megalomani, por që, për fat të keq, ka qenë i përligjur. Duam s’duam, ato janë partitë e mëdha të këtij vendi. Ndërkaq, megalomania e partive të vogla është mungesë realizmi qesharak që, herët ose vonë, shpie ujë në mullirin e dy partive të madha. I tillë është edhe antagonizmi i tyre i betuar, por fare i paargumentuar, me partinë më të madhe të opozitës.

***

AK dhe FRD kanë lindur si reagim ndaj keqqeverisjes së PD. Po jo vetëm kaq pak. Ato duket se kundërshtojnë edhe një autokratizëm që po fuqizohet përditë e më shumë në kokë të qeverisë. Pra nuk është fjala thjesht për keqqeverisje por, edhe për deformim të natyrës së regjimit politik, për devijim nga demokracia. Në këtë kuptim antagonizmi apo papajtueshmëria me PD dhe Berishën është i përligjur. Por nuk mund të quhet i tillë antagonizmi me PS dhe Ramën që, si pjesë e opozitës, nuk mund të mos vuajnë pasojat e këtij autokratizmi. Prandaj të jesh pjesë e opozitës dhe të refuzosh bashkëpunimin me partinë më të madhe në opozitë, është një populizëm që i drejtohet elektoratit të djathtë, por që nuk të shpie shumë larg. Sepse ky qëndrim është, në thelbin e vet, një ripohim i tezës berishiste se socialistët janë “komunistë” pra, armiq të përjetshëm të demokracisë. E zbatuar në praktikë, kjo “logjikë” shpie në përçarjen automatike të opozitës, gjë që Berisha, e dëshiron më shumë se çdo gjë tjetër. Më shumë se dy dekada nga rënia e komunizmit, partitë e reja duhet të shfaqen të çliruara nga kjo mendësi neokomuniste që qëllimisht fikson dhe damkos kundërshtarët si armiq të përjetshëm të demokracisë, pikërisht për të mbytur demokracinë. Edhe sikur asnjë pikë programore e AK dhe FRD të mos jetë e përbashkët me PS, vetëm fakti që kanë dalë në opozitë me Berishën dhe qeverisjen e tij, është një pikë që duhet t’i bashkojë me PS. Është thuajse absurde të pretendosh të jesh në opozitë dhe të mos kesh asnjë pikë të përbashkët me opozitën siç bëri para ca kohësh Gazmend Oketa. As me qeverinë dhe as me opozitën?! Më falni, por a s’është kjo thuajse e njëjtë me pretendimin e dikurshëm të Edi Ramës për të qëndruar tej të majtës dhe të djathtës? Por mbi të gjitha është një gabim i trashë strategjik. Sepse kur është fjala për të mposhtur një forcë autokratike që ka korruptuar sistemin dhe mbijeton me anë të diktaturës së votës së vjedhur, gjëja e parë që duhet bërë, është të bashkohen të gjithë forcat opozitare për të krijuar atë lumë votash që do të përmbyste edhe mekanizmin manipulativ të regjimit. Është e drejta e AK apo FRD të vetëmendohen si të përsosur, por është miopi të kërkojnë aleatë po aq të përsosur sa vetja. Për një aleancë politike duhet të paktën një qëllim i përbashkët, mundja e një të keqeje të përbashkët. Por nëse refuzon të bashkëpunosh me partinë më të madhe kundërshtare të Berishës vetëm sepse ke frikë mos propaganda e tij të baltos si bashkëpunëtor të “komunistëve”, atëherë kot që ke dalë në opozitë. Sepse kjo do të thotë që aleatët e tu të mos i zgjedhësh vetë por të t’i  zgjedhë Berisha. Që nga ana e vet nuk e pati fare vështirë të bashkohej në qeveri me më radikalin e të majtës, Ilir Metën. E si mund ta mundësh autokratizmin në pushtet kur ndërsa ai demonstron një pragmatizëm pa kufij duke ushqyer pushtetin me segmente të opozitës t’i, në opozitë, refuzon të fuqizohesh duke u bashkuar me opozitën? Karroca e Shqipërisë duhet nxjerrë nga lluca autokratike ku e ka zhytur Berisha për ta rifutur në rrugën e integrimit real me Perëndimin. Gjë që kërkon bashkimin e të gjithë forcave opozitare. Është fjala për të ringjallur demokracinë. Dallimet e imta dhe jo antagoniste i përkasin një faze të mëpasshme. T’i nxjerrësh ato në plan të parë sot, është miopi dhe vetëvrasje politike.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA