FATOS BAXHAKU – Fjalori politik i shqipes, gjuhë relativisht e re
letrare, është i mbushur plot me zbulime, neologjizma, ngjyresa
gjuhësore, porse besojmë se asnjë prej fjalëve të politikës shqipe ende
në përdorim nuk është më domethënëse e më aktuale sesa fjala “krahinar”.
Ky term është përdorur për herë të parë nën qeverisjen e Zogut President dhe më pas Mbret. Donte të thoshte as më shumë e as më pak sesa “kryetar komune”. Është afërmendësh, që për Zogun, politikanët e tjerë, që flisnin ende më vështirësi shqip, fjala krahinë ishte fort e dashur. Diplomatë të huaj kanë lënë pas kujtime mbi Lalë krosin, krahun e djathtë të Ahmet Zogut. Këtij mjaftonte t’i flisje në dialektin matjan dhe menjëherë gjeje një vend pune në vendin rekord për papunësi.
Nëse pyesim gjuhëtarët ata me siguri do të na përgjigjen se fjala krahinë vjen nga sllavishtja e vjetër “krajna” dhe se kjo vetë ka lidhje me fjalën fund, kufi – kraj. Kush i mban mend akoma filmat jugosllavë të stacionit të dytë të TV Beogradit – ata që mezi shikonim duke rrotulluar kanoçet, varakët e antenat – me siguri që do të kujtohen për këtë “kraj” për të cilin po flasim. Kjo fjalë shfaqej gjithherë në fund të filmit. E pra rrjedhat e historisë së përbashkët bënë që në shqip fjala krahinë të vijë nga fjala sllave fund. Në shqip ekzistojnë ende si toponime të rëndësishme të dy versionet si ai me origjinë sllave Krajë dhe ai me origjinë shqipe, Fundinë. Asgjë deri më tani. As e keqe, as e mirë, thjesht një rezultat i laboratorit të historisë ballkanike. Puna është se për shekuj e shekuj me radhë, ne shqiptarët, dhe jo vetëm ne, krahinën, fshatin, lagjen, bllokun e vumë në qendër të vëmendjes, në qendër të zemrës, në qendër të jetës. Përtej këtij kufiri, krahinës, nuk kishte më asgjë, përtej saj vinte fundi… thjesht “kraj”.
Reminishenca të kësaj ideje, pra që bashkëfshatari im meriton të tolerohet, të ecë përpara, të shkollohet janë me qindra mijëra. Lëre pastaj kur në këtë mesele primitive ngatërrohet edhe politika edhe kjo asnjëherë e emancipuar sa duhet. Kështu ndodhi që një lagje e tërë e Tiranës, ajo që sot quhet Tirana e Re, në vitet 50-60 u popullua më së shumti nga lebër që kishin qenë partizanë, pra që ishin “tanët” dhe jo “të atyre”. Nuk ishte thjesht një shpërblim, nuk ishte thjesht punë besimi. Puna ishte se ata ishin nga e njëjta krahinë nga ku vinin më së shumti dhe fitimtarët.
Si për çudi, diktatura jonë, si të gjitha diktaturat, u kujtua se nuk mund të ecet më me lidhje kushërinjsh, bashkëfshatarësh, krushqish, kujtimesh, krahinarësh, djemve të hallave e të tezeve… Instiktivisht edhe diktatura e kuptoi se e kishte tepruar duke i ndarë njerëzit në “tanët” dhe “të atyre” e kështu që nisi një përzierje të çuditshme të popullsisë, e cila në shumicën e rasteve u bë në mënyrë të imponuar, por megjithatë sikur nisi që t’i bënte njerëzit të besonin se përballë varfërisë, mungesës së lirisë, mungesës së të vërtetës, në fund të fundit ishin të gjithë njësoj. Këtu po bëjmë fjalë për njerëzit me dy fije mend në kokë e jo për të tjerë njerëz.
Fillimi i demokracisë i gjeti shqiptarët pak a shumë njësoj të vuajtur në të njëjtin burg të madh. Askush nuk e kishte mendjen të maste vuajtjen me metra lineare. Ishim të zhytur deri në gryk në m… dhe kaq. Porse politika ka mjete të tjera në përdorim asaj, sidomos kësaj sonës, i pëlqen krahina, krahinarët, kushot, besnikët, pavarësisht se ata nuk bëjnë për asnjë punë. Nëse bëjnë apo jo për punë kjo nuk ka as më të voglën rëndësi. Janë të tjerë parametra ata që vendosin për të ardhmen e x apo y. Kështu ka ndodhur që befas në krye të pozicioneve vërtet të rëndësishme të shohim personazhe që nuk i njihte askush me përjashtim të krahinës dhe farefisllëkut të tij. E gjithë kjo lidhje primitive mbulohej më pas me një vello besnikërie politike, ani se këta persona as që e dinë se ç’do me thënë më të vërtetë fjala parti, parlament, demokraci, dialog etj. Këta janë thjesht krahinarët e kohëve moderne, të cilët Shqipërinë e shohin njësoj si mëhallën e tyre. Si një vend ku vendos klani më i fortë dhe aspak e drejta dhe aq më tepër zotësia.
Kohët e fundit është bërë shumë zhurmë lidhur me fshatin zulmëmadh Lazarat. Njësoj sikur kanabisin e Lazaratit ta kishim zbuluar dje, gazetarë, helikopterë të huaj syshqiponjë, policë me maska, postblloqe të sofistikuara, ministra fytyrëvrerët, të gjithë kanë rrethuar, të paktën kështu thonë, fshatin Lazarat. Në fakt, këtij fshati i kishin mbushur mendjen deri disa muaj më parë se ishte i paprekshëm, se ishte një fshat i “krahinarëve”, se ishte “i yni” dhe jo “i atyre”, madje se ishte edhe një kështjellë e vjetër e nacionalizmit shqiptar përballë “greqizmës”. Këto që po themi nuk janë retorikë. Autori i këtyre radhëve e ka parë vetë se si silleshin deri disa muaj më parë lazaratasit e kanabisit nëpër rrugët e Gjirokastrës. Medet hallit po të ishe ndonjë nga “krahina” tjetër, pra nga opozita, atëherë si i thonë një fjale “më mirë këmbët e lehta dhe faqen e bardhë se sa…”. Aq të të bindur ishin lazaratasit që tashmë i përkisnin një “krahine” tjetër, saqë ish-zyrtarë të lartë të kohës së presidencës së Berishës rrëfejnë një ndodhi të tillë. Pasi Berisha u zgjodh President i Republikës për herë të parë lazaratasit dhe krahinari i tyre pritën e pritën më kot që Presidenti të mbante premtimet ndaj devotshmërisë së tyre. Premtimet ishin, sikurse ndodh zakonisht, ujë, drita, vende pune, rrugë e re deri në qendër të fshatit. Pavarësisht se Berisha ishte i zënë krahinari lazaratas dhe përfaqësia nën urdhrat e tij vendosën të mos tërhiqeshin. Ata pritën me ditë të tëra në një lokal përballë Presidencës, që më voni rezultoi pa leje. Një ditë prej ditësh një nga këshilltarët e Berishës e futi brenda delegacionin e kryesuar nga krahinari. Thonë se Berisha u ka kërkuar përkrahësve të tij lazaratas edhe pak muaj durim. Atëherë thonë se është ngritur i revoltuar krahinari më i moshuar dhe paska thënë: Ore Sali, kemi kaq e kaq ditë që të presim. O t’i mbaç premtimet ti, apo të të heqim fare. Sa për zëvendësues kam nipin tim unë. Është edhe ky me shkollë të lartë! Kështu ka folur plaku dhe ka bërë me gisht nga një djalë i ri që i rrinte në anë. Ky sapo kishte mbaruar veterinari. Me siguri krahinari ka menduar: Doktor për doktor, më mirë vemë këtë timin, u pa kjo punë…
Lazarati është një fshat i bukur, me plot histori, me njerëz të vuajtur, me pak tokë, i ngjeshur mes qytetit dhe një zone e cila ka një histori tjetër. Askush nuk ka ndërmend të justifikojë kultivimin e kanabisit fare lirshëm, porse të paktën duhet ta pranojmë se kjo është një histori që nuk zgjidhet duke e lënë policinë vetëm përballë lazaratasve. Vetë krahinarët e Tiranës, ata që sot japin urdhra të rrepta për të bërë thjesht shou, ua mbushën mendjen dikur fshatarëve se “misri” i tyre këndej e tutje do të ishte kanabisi, tani u thonë na falni se e kishim gabim. Pa rrini ca kohë pa bukë se me ju mbaruam punë. Ndodh dhe ka ndodhur që krahinarët të ndryshojnë edhe krahinat porse nganjëherë është vonë, tepër vonë.
Top Channel