Dalja pozitive e Pulakut

31/07/2012 20:00

Dalja pozitiv e Hysen Pulakut në Lojërat Olimpike “Londër 2012” hyn në historinë e kësaj Olimpiade si sportisti i parë që u kap me doping.

Në një bisedë telefonike, shefi i ekipit tonë olimpik, Viron Bezhani, ka treguar për substancën e ndaluar që ka përdorur Pulaku e deri në momentin e përjashtimit të tij nga fshati olimpik.

“Më vjen turp nga ky rast. Është shumë e rëndë sepse medikamenti i përdorur përdorej për kuajt në vitin 1968. Pulakun e kanë shoqëruar deri jashtë si person të padëshiruar dhe të gjithë na shohin shtrembër me të drejtë sepse është një rast shumë i rëndë për sportin”, shprehet Bezhani.

Shefi Bezhani hedh akuza të forta mbi Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, e cila sipas tij e dinte që Pulaku nuk ishte i pastër. Në shenjestër të akuzës së tij është edhe Ministria e Sporteve dhe Komisioni Antidoping shqiptar që neglizhojnë problemet sportive në vendin tonë.

“Të gjithë e dinin që ky sportist nuk ishte i pastër. Unë si shef delegacioni këmbëngula që të bëhej kontrolli menjëherë, por përgjigjet dihen që vijnë pas një muaji dhe atëherë nuk kanë vlerë. Ministria ka shumë faj në këtë rast sepse Ministria e ka ngritur Antidopingun për të shmangur raste të tilla dhe kontrollet duhen bërë me kohë që ne të mos turpërohemi këtu. Dopingu është ulur këmbëkryq në Shqipëri”, përfundon Bezhani.

Top Channel