
Organizatorët e Lojrave Olimpike 2012 janë duke u përballur me kritika të shumta pasi disa prej garave u zhvilluan me vende të shumta të boshatisura në stadiume.
Midis sporteve që nuk patën një ndjekje maksimale në ditën e parë përfshihej tenisi, pavarësisht se në të luajti vetë Federer, noti, skerma dhe basketbolli.
Binte në sy fakti se midis vendeve të braktisura, ishin edhe ato të quajtura “vendet familjare”, që ndodhen në tribunat kryesore dhe ofrojnë pamjen më të mirë rreth aktiviteteve.
Sipas mediave vendase, një situatë e tillë mund të jetë shkaktuar nga çmimet jashtëzakonisht të shtrenjta të biletave.
Megjithatë, në një komunikatë, kryetari i komitetit organizues së Lojrave Olimpike, Lordi Coe, këmbënguli se vendet e boshatisura janë ato që nuk kanë dalë në shitje, pasi janë bileta që i janë ofruar Federatave të ndryshme përkatëse, të cilat më pas nuk kanë dërguar të gjitha përfaqësues në stadiume.
Top Channel