Ibrahimovic debuton me gol me Paris SG

29/07/2012 13:20

Sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimovic, pati nevojë për vetëm tre minuta kohë për të shënuar golin e tij të parë në radhët e Paris SG.

Në një miqësore të zhvilluar në Uashington, përballë DC United të sulmuesit tonë, Hamdi Salihi, ish-milanisti tregoi menjëherë se është zhvendosur drejt kryeqytetit francez për të bërë diferencën.

Në një krosim të Menez, në topin e parë që preku, 31-vjeçari lëshoi një goditje të fuqishme nga hyrja e zonës, e cila la pa mundësi kundërpërgjigje portierin vendas.

Ndonëse vetëm ndeshja e parë me ekipin e tij të ri, shumë topa dhe aksione lindin pikërisht nga këmbët e Ibras, menjëherë një pikë referimi në sulm.

Një paraqitje të mirë bëri edhe blerja tjetër e madhe e parizienëve në këtë sezon, Ezequel Lavezzi, i cili prodhoi shumë volum loje dhe disa raste vërtet të pastra.

Për kronikë, ndeshja përfundoi në barazim, pasi DC United barazoi rezultatin 12 minuta nga fundi me një penallti të De Rosarios.

Top Channel