Pse shumica fiktive duhet të dëgjojë shumicën faktive?

28/07/2012 00:00

Arben Manaj – Kryeministri i koalicionit deklaroi pak a shumë në thelb
se ka ikur koha kur pakica vendos në Shqipëri, duke iu përgjigjur Ramës
për kërkesën e tij për miratimin me shumicë me ose mbi 84 vota të
krerëve të institucioneve më të rëndësishme, nga të cilat varet
mbarëvajtja dhe administrimi i drejtësisë në vend.

Dhe për konsekuencë varet edhe e ardhmja e afërt dhe e largët e të qenit të Shqipërisë në Klubin e Europës në reanimacion.

Zgjedhjet e fundit dhe mënyra se si u kryen ato, kryeministrin e kanë bërë faktikisht kryeministrin e koalicionit, por jo kryetarin e partisë së shumicës së shqiptarëve. Partia e tij është rreth 100 mijë vota më poshtë partisë kryesore kundërshtare, me të cilën duhet të kishte ndërruar vendet. Partia e tij, historikisht, është partia e dytë me mbështetjen më të madhe në elektorat.

E thënë ndryshe, të majtët kanë qenë dhe janë më të shumtë historikisht se të djathtët në këtë vend, i varfër historikisht dhe pa shtresë të lartë aristokratike dhe të mesme të fuqishme dhe të konsiderueshme në shifra, shtresa që po historikisht janë luftuar dhe eliminuar në format më brutale dhe më të pamëshirshme në emër të obskurantizmit, totalitarizmit dhe kultit të individit.

Kontestimet e zgjedhjeve të fundit kanë ardhur për shkak dhe si rezultat i shtrembërimit të përfaqësimit elektoral në Shqipëri, përmes makinacioneve zgjedhore tashmë të identifikuara, shtrembërim që përkthehet në përfaqësime të shtrembra në institucionet shtylla të shtetit.

Nëse ka shumicë sot, ajo është shumë e brishtë, dhe më e ngushta në historinë parlamentare në Shqipëri, por ende e “parrëzuar” në votim të fshehtë, për shkak të një kaleidoskopi interesash ekonomike dhe aspak principesh politike dhe ideologjike. Është një shumicë e djathtë nominale, e kryqëzuar me partnerë gjenetikisht të majtë në ADN-në e tyre politike.

Por, edhe sikur të mos ishte kjo situatë, koha dhe Europa kërkon vendime të marra me shumicë më të madhe sesa shumica e thjeshtë, pikërisht falë këtij deformimi dhe përfaqësimi fiktiv, për të cilin ata nuk janë më aq sylesh sa me shifrat greke të borxhit.

Dhe kjo nënkupton kontributin e pakicës zyrtare, edhe pse fiktive.

Në këto kushte është domosdoshmëri vitale, madje në nderin e kreut të koalicionit qeverisës të shtrijë dorën e kompromisit, duke gëlltitur krenarinë politike, në emër të integrimit dhe të shuajë dallimet mes pakicës dhe shumicës, për të marrë vendime që çojnë në ato ndryshime dhe marrëveshje ndërpartiake, që i ka bërë gjithherë kur e ka parë të udhës, pa iu referuar si sot “ikjes së ditës kur pakica vendos në këtë vend”.

Ndryshimet e kërkuara janë një përpjekje për të korrektuar ato shtrembërime, që sipas kryeministrit aktual ia kanë penguar atij këto dy mandate, luftën kundër korrupsionit.

Besoj të gjithëve u kujtohet retorika e Berishës kur shfaqej impotent në luftën kundër korrupsionit, pasi kishte një Silvia Konti që edhe pse vetë e kishte propozuar, besonte se ia kontrollonte “Hamzai” i partisë.

Kishte një shef të shërbimit sekret, me të cilin nuk ishte “mik as në Facebook”, as në përditshmërinë e relatave institucionale, përndryshe një “kryespiun”, që nuk e kishte nxjerrë ai vetë nga xhepi.

Ajo që po kërkohet, është të shmangen si në retorikën shfajësuese dështimet e mosluftimit të korrupsionit, por edhe të ketë më besim mes palëve në institucionet kryesore të shtetit, që ai të mos u ngjajë shteteve ku drejtojnë Putini, Llukashenko apo Janukoviçi, pa aspirata europiane gjithsesi!

Të ketë një shpërndarje më të logjikshme, përfaqësuese dhe të balancuar të pushtetit që t’i japë frymëmarrje funksionimit të shtetit dhe normalitetit demokratik në vend.

Në fund të fundit, kjo është ajo që Berisha premtoi dhe u pompua në 2005-n, se ai nuk do ta rimerrte nëse do të nusëronte për herë të dytë, pasi nuk ishte më Ai i pari dhe nuk kërkonte ato pushtete, madje të gjitha, si në kohën e sundimit të tij presidencial piramidal para ‘97-s, sundim dhe arbitraritet që shkatërroi shtetin dhe e gjunjëzoi atë nga pesha e madhe e tërë atyre kungujve që mbante nën sqetullat e vogla të shtetit-njeri dhe njeriut-shtet.

E nëse do të kërkojmë të vetësugjestionohemi, sot kemi një President të ri, i cili ka shpallur si kalë të betejës së tij presidenciale drejtësinë dhe reformën në të.

I gjithë ngërçi i sotëm politik dhe parlamentar në vend ka të bëjë me reformën në drejtësi. Është detyrë e tij, qoftë edhe konstitucionale, por edhe morale për mënyrën dhe rrethanat sesi u zgjodh, që të ndërhyjë urgjentisht, pasi nuk ka më kohë për lot krokodilësh për statusin dhe as për “krokodil të dytë” në Tiranë, jo në Bruksel, siç po premtohet pas 6 gushtit.

I takon atij të shndërrohet në njeriun që personifikon unitetin e vendit dhe të bëhet ai, më në fund, “kamerieri” i demokracisë dhe i paanshmërisë, në dhënien e faturave me çmimet sipas kokës, atyre që kanë fatin dhe meritën e diskutueshme, për të drejtuar taborët e shqiptarëve në këtë 100-vjetor.

Një i atillë i mirë dhe i shpejtë në shërbimin ndaj atdheut për hir të integrimit, meriton çdo “bakshish” ekstra-reformë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA