Skënderbeu në shesh, Basha në Bashki

27/07/2012 00:00

ARTAN MULLAJ – Para disa kohësh, rreth monumentit të “pudrosur” të
Skënderbeut në qendër, ishin vënë disa skela mbështjellë me rrjetë. Kush
kish  nacionalizëm të fshehur brenda tij nuk mund të mos ketë pyetur
veten: “Çfarë do t’i ndodhë heroit tonë kombëtar? Do t’i bëjnë “hamam”
si sulltaneshave dhe pashallarëve dikur në sarajet e osmanëve? Do t’ i
kalojnë një ujë, si lajm me presion makinat kalimthi, për t’u shkarë
përbuzjeve kalimtare? Apo disa nëpunës të bashkisë, njëlloj si agallarët
e haremit, do t’i kruajnë shpinën heroit me letër smeril dhe lesh dhie,
që bronzi të shkëlqejë si flori?”

Kush mund ta dinte? Skelat rreth Skënderbeut ishin një ndër misteret fëminore të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Çfarëdo që t’i ndodhte monumentit, larje, fërkim apo kruajtje, rrethimi i tij me rrjetë plastike dhe skela dukej i mirë. Vëmendje e dobishme nga ana e bashkisë! Dihej se busti i Skënderbeut kishte zënë prej vitesh një shtresë poshtëruese pisllëku të hirtë. Dukej sikur ky pisllëk e kish zbehur legjendën e prijësit shqiptar të kalorësisë europiane, a thua mbi të pat rënë hiri i vullkanit të Matephausit. Ndodhi ajo që pritej. Skënderbeu u pastrua nga bashkia. Për shkak se trashësia e pluhurit mbi bronzin e heroit jepte një ide të qartë për ndotjen e frikshme të ajrit në Tiranë, monumenti, nuk do vazhdojë të jetë më indikatori i pisllëkut, matësi i ndotjes, por kjo nuk prish shumë punë. Në një vend si Shqipëria, ku mbeturinat janë aleate të qeverisë, sepse, njëlloj si qeveria, sundojnë dhe rrezikojnë jetën e njerëzve dhe territorin, matja e pisllëkut nuk është fort e nevojshme.

Pastrimi i heroit nga pluhuri në përvjetorin shekullor të pavarësisë dhe në të parin përvjetor të kryetarit të bashkisë, duket se ndodhi në kohën e duhur. Ngaqë monumenti i heroit është shndërruar në simbol të legjendës, apo për shkak të këtyre përvjetorëve, duket sikur edhe ndotja mbi shpatullat e heroit, por më pas edhe ideja e kryetarit 1-vjeçar të bashkisë, për pastrimin e tij, karikohet instiktivisht me një ngarkesë simbolike. Si për inerci të fatit, ndodh që sot ka një koherencë midis legjendës së pushtetit të Skënderbeut dhe pushtetit “legjendar” të kryetarit të bashkisë. Për të parin, kohët e fundit ka ndodhur përbaltja, për të dytin ndotja e moralit. I pari është sulmuar nga pasardhës të tij për shkak të madhështisë, i dyti ka vetëndotur ndërgjegjen e vet, për shkak të babëzisë… Në këtë rezonim, vendimi i Bashës për t’i bërë dush” Skënderbeut, fiton gjithashtu një aurorë simbolike. Mos ndoshta, duke larë Skënderbeun, Basha kërkon të tregojë se ashtu si një bust, ashtu si legjenda, ashtu si historia, edhe morali mund të pastrohet? Mos ka vrasje ndërgjegje për kusuret e shkuara dhe mosmbajtjen e premtimeve? Nëse ka vrasje ndërgjegje për mëkatet e tij në politikë, supozimi ka një rrjedhë logjike. Sikur kryetari aktual i bashkisë të ketë sindromën e “mëkateve apo ndotjeve të mëdha të moralit”, pastrimi i monumentit të Skënderbeut është një shpjegim i mirë, për të mos thënë një ushtrim i mirë psikologjik për lehtësim. Një hap i parë i vogël drejt amshimit. Lehtësim për mëkatet e supozuara. Për korrupsionin vullkanik të rrugës patriotike. Për shpirtrat e harruar të 21 Janarit. Për “rrëmbimin” me thonj të Bashkisë së Tiranës. Për gënjeshtrat e mëdha!

Meqë jemi tek idetë, te mëkatet dhe te gënjeshtrat publike, le të themi kalimthi që kryetari Basha nuk është rastësisht në kolltukun e tij këtë përvjetor. Është edhe për shkak të tyre. Sikur të jetonte në Mesjetë, do të ishte si Ibrahim Pashai pranë Sulltan Sulejmanit, veziri i tij më i lartë. Duke qenë ai një vezir i lartë pranë sulltanit Sali, e pafalshme të supozosh se ai nuk ka menduar si duhet në kohën e duhur! Ka premtuar e gënjyer sa duhet dhe ka ideuar lidhje të përshtatshme me aleatë të përshtatshëm. Nuk është se bashkë me idetë e tij në parti dhe bashki, ka vezulluar fantazi gjatë karrierës së tij, inteligjencë dhe imagjinatë, por ama ka brumosur, qetë dhe pa u ndier, vizionin e karrierës. Si personazh është aq i butë, sa të kujton Pjetrin e Tolstoit, te “Lufta dhe Paqja”(konteshat ruse e lavdëronin heroin e shkrimtarit rus, pikërisht sepse në vend të epshit dhe seksit kishte urtësi). Në krye të një administrate të arnuar e salduar me militantë shumëngjyrësh, në të cilën dashuritë dhe tradhtitë me aleatët dalin mbi kauzën dhe mbi partitë, por jo mbi interesat, kryetari Basha ka siguruar një solidaritet të plotë. Solidaritet jo për menaxhimin e punëve të bashkisë, por për menaxhimin e imazhit të tij. Kjo bie në sy në çdo dalje të tij publike, madje edhe në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Hollet e sallës në çdo rast gumëzhijnë si bletët në ditën e mjaltit për të arritur performancën e përkryer të kryetarit. Teksa del e ulet në ish-kolltukun e rëndë të Edi Ramës, përballë këshilltarëve, Luli rrezaton butësi dhe mister. Nuk i ka duart e mëdha e me kallo, si putrat e Zhan Valzhanit. I ka të shkathëta, të vogla e shumë të brishta për të mos ngjarë femërore, por edhe ato rrezatojnë energjinë e frikshme të ambicies… Të kujtojnë, natën krimin, ditën violinën. Që fytyra e bardhë, të shndërrohet në portret, duhet thirrur një piktor mediokër, por me shumë adrenalinë, sepse vështirë të lindë frymëzim për të shndërruar fytyrën e kryebashkiakut në art. Kjo për shkak se nuk ka shumë shprehje në të. Sa i pashëm në jetë, aq i shëmtuar do të ishte si bust. Nuk ka dritëhije, i mungojnë planet dhe personaliteti. Më shumë se tiparet, më shumë se buzëqeshja e shtirur, që në fytyrën e kryetarit Basha, duket si një flutur e ngjitur në dyllë, janë pikërisht dritëhijet e brendshme dhe të jashtme që japin karaktere në art dhe krijojnë dinamikë. Por nëse para kamerave, buzëqeshja e tejshpirtshme e Lulit të bashkisë nuk është e shtirur, mbetet të jetë naive. Mos harroni këtë! Në portretin e një politikani, naiviteti është vlerë…

Nëse portreti artistik i Bashës do të ishte një shkretëtirë, portreti i tij politik provokon mjaft kureshtje. Provokon kureshtje për shkak të dyzimit. Atje ku përmendet sozi e Berishës, vegullin një pavarësi e pushtetshme, që as e ëndërrojnë zyrtarët e tjerë të Partisë Demokratike. Ky ka fituar imunitetin e shkëputjes nga rrjedha. Një gjë e tillë u vu re gjatë fushatës për zgjedhjet lokale. I paanshëm, pa Salinë, pa të tjerët, krijoi një model vetmie në garë. Modelin e bërjes politikë duke e shpërfillur politikën. Është si të bësh seks me një grua që nuk e do. Mbase të mbrapshta, por ai ka ide! Sot, nuk është se diamanti i Partisë Demokratike dhe njëherësh demon i bashkisë, spikat vetëm  për larjen e heroit në shesh. Ka plot ide të tjera të shumëduartrokitshme ky njeri. Natyrisht që zgjatimi i sheshit kryesor, tramvaji dhe gjetja e fondeve për të, projektet që fliten dhe ato që nuk janë përmendur akoma, dëshmojnë se të paktën në iluzion, krijimi i kauzës “Basha për Tiranën” nuk ishte vetëm një fluskë sapuni. Çfarë është? Është betejë psikologjike për ngritjen e një kulti. Kjo është superideja dhe ky është misioni dhe vizioni i bashkisë. Të ngrejë me propagandë yllin Basha në lartësitë e “yllit polar” të Shqipërisë, që është, kush tjetër, Kryeministri sulltan, Saliu. Nuk është pak të guxosh t’i premtosh tramvaj një metropoli, bulevarde, legalizime banesash dhe ambiente sportive fëmijëve. Edhe pse janë thjesht mashtrime, të gjitha këto dëshmojnë se kryetari i bashkisë, të paktën nuk është pa vizion. Madje, mjeshtër në tërheqjen e vëmendjes, duke gënjyer, duke ndotur ndërgjegjen përpiqet me baltën e re hedhur moralit të tij, të pastrojë të vjetrën. Ashtu si po fshihet pluhuri shumëvjeçar i Tiranës nga vithet e kalit të Skënderbeut, Basha synon të fshijë “njollëzat” e së shkuarës së tij duke gënjyer në të sotmen e tij. Pi ujë sot për të shuar etjen e djeshme. Nëse nuk do t’i fshijë, së paku do t’i pudrosë. Sa më shumë që në ndërgjegjen e tij, akuza për mëkate qëndrojnë si ikona dëshpërimi, aq më shumë Basha guxon të premtojë gjëra që nuk do të ndodhin, si nuk kanë ndodhur këtë vit në bashki.

Monumenti i Skënderbeut më në fund do të pastrohet. Këtë verë, bronzi i tij do të shkëlqejë, në mos si flori, si dhëmbët prej porcelani të kryetarit të bashkisë. Por a do mund të pastrohet ndonjëherë shpirti i tij. Pyetje e vështirë. Ndërgjegjja e tij e vrarë, ka nevojë për përshpirtje. Vetëm Perëndia mund të korrigjojë dëmin gjenetik të pushtetarit. Por Perëndia pret vepra më të mëdha se pastrimi i një monumenti. Perëndia nuk fal më shkatërrime të tjera. Dhe kur nuk fal më Perëndia, më mirë zgjat dorën dhe trokit diku tjetër…

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA