Që bashkë me imunitetin të hiqet edhe impuniteti

27/07/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Kryeministri Berisha po orvatet ta kapë “mat” Edi
Ramën, duke e denoncuar si të vetmin lider të opozitës në botë që e do
Kryeministrin me imunitet. Dhe i ofron që ta zhdukin këtë “paradoks”
duke i kërryer sa më shpejt imunitetet.

Shihet qartë se Kryeministri nuk ka frikë nga heqja e imunitetit. Mos vallë ngaqë është aq i ndershëm sa s’ka ku e kap ligji? Jo, Berisha është aq i korruptuar sa s’ka ku e kap as qeni, por nga që është i pajisur me impunitet, me privilegjin e pandëshkueshmërisë nga ligji dhe drejtësia, nuk i trembet heqjes së imunitetit. Kjo shpjegon se edhe pse disa nga ministrat e kabinetit të tij tejet të korruptuar mezi ç’presin sa t’u hiqet imuniteti. Thonë se venedikasit kur përgatisnin spiunë, i mëkonin me sasi të vogla helmi, derisa organizmi i tyre bëhej imun ndaj veprimit të tij. Dhe spiuni mund të ngrinte dolli me kupë të helmuar duke e çuar në botën tjetër dollibashin që nuk kishte imunitet nga ky helm. Pak a shumë kështu qëndron puna me imunitetet. Të korruptuarit e qeverisë nuk rrezikojnë asgjë nga heqja e imunitetit, sepse ligji nuk ka forcë të veprojë mbi ta. Dhe që ligji të veprojë mbi të gjithë duke thërrmuar edhe impunitetin, këtë mburojë të të korruptuarve edhe kur s’kanë imunitet, duhet që drejtësia t’i ketë sytë e lidhura, kur nuk do të mund të bëjë dallimin nëse ka përpara një deputet të opozitës, një ministër, apo qoftë edhe Kryeministrin vetë.

 

***

Impuniteti, pandëshkueshëmria e njerëzve të qeverisë, është tashmë e provuar disafish. Është provuar me Sali Berishën, Fatmir Mediun, Lulzim Bashën dhe Ilir Metën. Kanë mundur t’ia hedhin paq drejtësisë edhe pse të përfshirë në megaskandale korruptive dhe spektakolare.  Dhe kanë mundur ta kalojnë lumin pa u lagur pikërisht për mungesë të një prokurorie dhe gjykate të pavarur që nuk e braktis misionin dhe axhendën e saj për shkak të presioneve, joshjes apo korruptimit të gjyqtarëve e prokurorëve nga bota e kalbur e politikës. Ndërkaq opozita është, përgjithësisht, pa impunitet. Me heqjen e imunitetit mund t’i dërgosh shumë lehtë opozitarët në bankën e të akuzuarve. Dhe jo vetëm ata që mund të jenë të korruptuar. Sepse një sistem i kalbur drejtësie që nxjerr të pafajshëm kriminelë, vrasës apo edhe ministra të korruptuar, nuk e ka aspak të vështirë të nxjerrë të fajshëm opozitarë të pakorruptuar. Aq më tepër në kushtet kur shumë shpejt, kryeprokuror do jetë ndonjë “qelesh” i Berishës. E di pastaj ky i fundit si ja vë “qeleshen” opozitës. Mezi po e pret atë çast. Prandaj fton të hiqen imunitetet! Se kush mund të thotë me siguri, edhe sot pas kaq vitesh, nëse Fatos Nano ishte i korruptuar në kohën që ish-presidenti Berisha e plasi në qeli duke përdorur një prokurori dhe drejtësi të kapur? Më vonë Nano u shpall i pafajshëm nga një gjykatë italiane por, çdo të kishte ndodhur sikur Berisha të mos kishte rënë nga pushteti për shkak të aventurës së piramidave financiare që vetë kishte stisur? Nano, lideri i opozitës, do ishte kalbur në burg edhe disa vjet të tjerë. Në kushtet e mungesës së prokurorisë dhe gjykatave të pavarura nga pushteti, nuk ka asnjë garanci se të tilla padrejtësi mund të ndodhin përsëri. Çdo të ndodhte, për shembull, me akuzën për “grusht shteti”, për thika me helm, çadrat pistoletë, sikur në postin e kryeprokurorit më 21 janar të mos qe Ina Rama (që Kryeministri ynë gojëndyrë e quajti “lavirja e bulevardit”) por një “halim” i gatshëm të ushqejë me “prova” intrigat e fyhrerit që i vë vetë zjarrin Rajhshtagut dhe pastaj akuzon opozitën? Duam të shkojmë drejt Europës jo drejt nazizmit. Dhe të jeni të sigurt që Kryeministri do bëjë të pafajshmin duke deklaruar se burgosja e “filanit” apo “fistekut”, nuk ka të bëjë fare me Kryeministrin, por se është bërë me vendim gjykatash që janë “të pavarura” nga qeveria! Tamam si në rastin e KQZ apo Kolegjit Zgjedhor në zgjedhjet e fundit. Por edhe sikur një prokurori e komanduar nga Berisha në koordinim me gjyqtarë të kapur prej tij, të ndëshkonin ndonjë korrupsion të vjetër, që kampi opozitar e trashëgon nga koha e qeverisjeve të Fatos Nanos, kjo do të përbënte një tjetër padrejtësi, do të përbënte atë që quhet hetim dhe ndëshkim selektiv kundër opozitës, do të thoshte që lufta “antikorrupsion” të drejtohej nga korrupsioni në pushtet. Do kishim një dhunim të barazisë së qytetarëve para ligjit, që Berisha e përdor për demagogji këto ditë. Do të kishim një “antikorrupsion” që do ta fuqizonte edhe më shumë qeverinë e korrupsionit “me duar të pastra”.

 

***

Dallimi thelbësor mes demokracisë liberale nga njëra anë, dhe diktaturës nga ana tjetër, mes demokracisë liberale dhe autokratizmit, mes demokracisë liberale dhe demokracisë joliberale, është pikërisht ekzistenca apo jo e një pushteti gjyqësor dhe i një organi hetimi të pavarur nga qeveria, që e lufton korrupsionin dhe krimin pa dallime partiake dhe pa iu trembur qeverisë. Në diktaturën komuniste, opozita politike u zhduk, sepse nuk kishte as imunitet po as edhe drejtësi të pavarur nga Partia Komuniste në pushtet. Shkrirja e qeverisë me pushtetin e drejtësisë krijon atë amalgamë kriminale që i jep fund lirisë dhe demokracisë. Prandaj edhe ofertat e Berishës janë një rrezik i madh për demokracinë dhe lirinë në Shqipëri. Ky rrezik mund të shmanget vetëm duke bërë kufizimin e imuniteteve në mënyrë që të marrë fund edhe pandëshkueshmëria e qeveritarëve dhe impuniteti i tyre, përfshi edhe vetë Berishën. Dhe kjo është e mundur vetëm me anë të një pakete amendimesh (të afërt me ato të propozuar nga opozita që mund të plotësohet nga sugjerimet e konstitucionalistëve dhe shoqërisë civile), që korrigjojnë sa të jetë e mundur më shumë nga rrënimi i ndarjes së pushtetit që solli ndryshimi i Kushtetutës në vitin 2008. Ndryshim që Berisha e quan “reformë historike” dhe më të rëndësishme në jetën e tij. Ndër të rrallat raste që Berisha nuk gënjen duke treguar hapur se sa fort e gjakon kapjen e të gjitha pushteteve. Por epshi i Berishës është tjetër dhe ajo që i duhet demokracisë dhe lirisë në Shqipëri është krejt tjetër gjë. Shqipërisë i duhet ndarja e pushteteve si në Europë dhe jo si në Rusinë e Putinit. Pa atë ndarje pushtetesh kufizimi i imuniteteve do të prodhojë impunitet për qeverinë dhe gjueti shtrigash për opozitën. Iluzione nuk duhet pasur. Sepse në vend që të luftojmë korrupsionin do fuqizojmë autokratizmin, pushtetin absolut që korrupton në mënyrë absolute.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA