Himni përçan Britaninë

27/07/2012 16:35

Një debat kombëtar është krijuar pasi anëtarët skocezë dhe uellsianë të skuadrës britanike që po merr pjesë në Lojrat Olimpike refuzuan të këndonin himnin kombëtar.

Ndërsa skuadra britanike e futbollit nisi aventurën e saj olimpike me një barazim zhgënjyes 1-1 ndaj Senegalit, mbase më shumë se vetë rezultati i arritur përpara 72 mijë të pranishmëve në “Old Trafford” të Mançesterit, ra në sy fakti se Ryan Giggs dhe Craig Bellamy qëndruan të heshtur gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar.

Një burim brenda skuadrës u shpreh se “një qëndrim i tillë është i papranueshëm dhe fyes ndaj të gjithë atyre që ndihen britanikë”.

Megjithatë, debati u bë edhe më i ndezur nga bojkoti i lojtareve skoceze dhe uellsiane, më të shumta në numër, në ekipin kombëtar të femrave.

Lojtarja Kim Little, skoceze, deklaroi se kishte bërë një “zgjedhje personale”, duke refuzuar të këndonte himnin, pasi ajo është skoceze.

Një tjetër futbolliste skoceze, Ifeoma Dieke, qëndroi e heshtur ndërsa këndohej pjesa “Zoti shpëtoftë Mbretëreshën” (God save dhe Queen), përpara përballjes me Zelandën e Re.

Himni britanik, i shkruar në vitin 1740, ka një strofë të pestë që këndohet rrallë, e cila thotë: “Të shtypim rebelët skocezë”.

Përballë këtij skandali, një zëdhënës i Shoqatës Olimpike Britanike u shpreh se të gjithë atletët janë urdhëruar të mësojnë tekstin e himnit kombëtar. “Është një zgjedhje personale, por edhe më e rëndësishme është të tregosh respekt. Nëse vesh këtë fanelë, duhet ta respektosh atë dhe të gjithë ata që ndihen britanikë”.

Megjithatë, deklarata gjeti një kundërpërgjigje të shpejtë nga babai i futbollistes 22-vjeçare Little, një prej mbështetësve të pavarësisë së Skocisë nga Britania. Në shtypin britanik, ai deklaroi: “Në fushë u ekzektua himni kombëtar i Anglisë dhe vajza ime ëshët skoceze. Vendimin e saj e mbështes me 100%, sepse edhe unë do të kisha bërë të njëjtën gjë. Personalisht, nuk do të doja që atletët skocezë të merrnin pjesë me kombëtaren britanike, e do të doja të shihja një ekip skocez të pavarur në Olimpiadë”.

Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut perfaqesohen me kombetare te veçuara ne futboll, por ne Lojrat Olimpike, te gjithe futbollistet dhe altetet e tjere bashkohen nen ekipin e Britanise se Madhe.

Top Channel