Milani, 13 mln euro për Kaka

26/07/2012 20:05

Nga zërat, Milani kalon në ofertë konkrete. 13 milion euro për Realin e Madridit dhe nëse palët bien dakort, braziliani Kaka rikthehet në Milano.

Kështu shkruan gazeta spanjolle “Marca”, e njohur si media e afërt me “Los Blancos”. Sipas kësaj gazete, administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Realit, Florentino Perez ku edhe i ka bërë ofertën konkrete të kuqezinjve për Kaka.

Një tjetër lëvizje është edhe udhëtimi i Ernesto Bronzetti drejt Spanjës. Agjenti i futbollistëve, i njohur për ndërmjetësimin në transfertat mes Spanjës dhe Italisë, mori “porosinë” nga Galliani për të biseduar mbi kushtet e blerjes së Kaka, si me drejtuesit e Real ashtu dhe me vetë futbollistin.

Nga transferta, Reali do të përfitojë 13 milion euro, një shumë jo fort e madhe krahasuar me 64 mln që u ble asi brazilian. Por “Los Blancos” do të kursenin plot 30 milion euro, duke qenë se Kaka është nën kushtet e një kontrate që i siguron atij 10 milion euro në sezon dhe kjo kontratë përfundon pas 3 viteve.

Shkurtimisht, nga marrëveshja Real do të përfitonte 43 milion euro, ndërsa Milani mundësinë e pajtimit me tifozët pas shitjes së Ibrahimovic dhe Thiago Silva tek francezët e PSG-së. I vetmi i humbur në këtë mes duket se është vetë 30-vjeçari Kaka të cilit Milani i ofron një kontratë nga e cila do të përfitonte në sezon vetëm gjysmën e shumës që merr tek Real, 5 milion euro.

Top Channel